Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka ushtruar të drejtën dhe obligimin e tij qytetar duke votuar sot në Komunën e Pejës.
Ai votoi në qendrën e votimit “Lidhja e Prizrenit”, e cila, sipas tij, është hapur pa probleme dhe është në funksion të plotë.
Radoniqi ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votime.
“Sot fillojmë dhe një proces zgjedhor për këtë vit, zgjedhjet lokale për kryetar dhe asamble komunale, siç e patë unë votova. Kjo qendër ‘Lidhja e Prizrenit’ është hapur dhe besoj që të gjitha qendrat janë hapur deri tani. Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin në votim dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë në këto zgjedhje për të cilat KQZ ka punuar që 6 muaj”, tha ai.
Ai theksoi se këto zgjedhje po zhvillohen nën rregulloret e reja të miratuara në vitin 2023, të cilat kanë sjellë disa ndryshime në mënyrën e organizimit të procesit zgjedhor.
“Kemi ndryshime në proces sipas ligjit që ka hyrë në fuqi në vitin 2023. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën për të cilën presim që sonte të dalim me rezultate preliminare disa orë pas përfundimit të proceset zgjedhor. Gjithashtu të gjitha QNR-të janë të pajisura më të gjitha pajisjet e nevojshme për numërim dhe presim që mëngjesin e së nesërmes të fillojnë numërimin për asamblistë”, ka thënë Radoniqi. /Telegrafi/