Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, ka përcjellë urimet e tij për kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Kreshnik Radoniqi, dhe gjithë anëtarët e këtij institucioni, për menaxhimin profesional të zgjedhjeve lokale të mbajtura një ditë më parë në Kosovë.
Celibashi ka vlerësuar administrimin e procesit si profesional, transparent dhe të paanshëm, duke theksuar rëndësinë që një organizim i tillë ka për forcimin e demokracisë.
“Përcjell urimet e mia më të sinqerta për Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës, Kreshnik Radoniqi, dhe të gjithë anëtarët e Komisionit, për administrimin profesional, transparent dhe të paanshëm të zgjedhjeve vendore të djeshme,” ka deklaruar Celibashi.
Në mesazhin e tij, ai ka përgëzuar gjithashtu partitë politike, shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët e Kosovës për kontributin e tyre në një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik.
“Urime gjithashtu partive politike, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve të Kosovës për kontributin e tyre në një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik, që forcon besimin publik dhe vlerat evropiane të demokracisë”, ka shtuar Celibashi. /Telegrafi/