Thursday, March 26, 2026
spot_img
HomeLajmeKryetari i FFK-së takon tifozët: Uroj për një fitore historike

Kryetari i FFK-së takon tifozët: Uroj për një fitore historike

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka takuar të enjten tifozët kosovarë në Bratislavë, pak orë para ndeshjes së rëndësishme kundër Sllovakisë. Ai i ka falënderuar ata për përkrahjen e madhe dhe ka uruar që Kombëtarja të arrijë një fitore historike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ademi ka shprehur krenarinë për numrin e madh të tifozëve që kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të botës për ta mbështetur Kosovën në këtë përballje.

“Jam pafundësisht krenar kur shoh se si bashkëatdhetarët tanë kanë udhëtuar nga çdo kënd i globit, nga SHBA-të dhe Kanadaja, nga Skocia, Gjermania, Austria e Belgjika, e deri te shtetet skandinave për të qenë krahu i djathtë i djemve tanë. Ky nuk është thjesht një udhëtim. Është dëshmia më e pastër e atdhedashurisë dhe rrugëtimit tonë të përbashkët drejt ëndrrës së madhe.”

Ai e ka cilësuar përballjen me Sllovakinë si sfidën më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, duke theksuar se përkrahja e tifozëve do të jetë shtysë e madhe për lojtarët në fushë.

“Sonte, përballë nesh është sfida më rëndësishme në historinë tonë të futbollit kundër Sllovakisë. Por, me këtë përkrahje madhështore pas shpine, djemtë tanë në fushë nuk do të jenë vetëm.”

Në fund, Ademi ka falënderuar veçanërisht tifogrupin “Dardanët” dhe gjithë bashkatdhetarët që kanë udhëtuar për ta mbështetur Kosovën, duke shprehur shpresën që skuadra t’i shpërblejë me fitore.

“Falënderoj nga zemra tifo-grupin ‘Dardanët’, qytetarët e shumtë të Kosovës, bashkëatdhetarë nga të gjitha vendet e botës që po i qëndrojnë djemve tanë përherë afër në çdo arenë dhe për energjinë që i japin Kombëtares së Kosovës. Uroj me gjithë shpirt që djemtë tanë sonte t’i përcjellë fati dhe t’ua shpërblejnë këtë mund e këtë besim me një fitore historike”, shkruan Ademi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT