Rrahman Jakupi, anëtar i PDK-së dhe kryetar i degës së kësaj partie në Shtime, të martën tha se ka marrë vendimin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për zgjedhjen e tij si Kryesues i Kuvendit të Komunës.
Mirëpo, këtë vendim nuk po e pranon komuna, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai tregoi se si rrodhi gjithçka, teksa tha se ndonëse LVV e ka pushtetin në këtë komunë, shumicën në Kuvendin Komunal e ka opozita, e përbërë nga PDK e LDK e anëtarë tjerë.
“Ndihem pak i turpëruar që komuna e Shtimes, ose kryetari i komunës, ka zgjedhur që konfrontimin e tij politik ta bëjë për këtë ditë, por për ne, kjo nuk guxon të politizohet pasi Reçaku nuk është as çështje partiake, as personale, mirëpo është dhimbje, respekt dhe kujtesë kombëtare”, tha ai.
Jakupi tha se edhe vetë ka prejardhjen nga fshati Reçak, teksa shtoi se shumë të afërm të tij i ka humbur në këtë masakër, përkujtimi për të cilën bëhet nesër.
Sipas tij, kundërshtimi që po i bëhet seancës së thirrur nga ai nga komuna dhe kryetari, “është pak e çuditshme”.
“Por besoj se nesër do të tejkalohen këto problematika. Nesër do të mbajmë seancën, nuk ka asgjë të veçantë aty, është mbledhje përkujtimore për t’i nderuar martirët e fshatit Reçak dhe dëshmorët e UÇK-së që kanë rënë heroikisht duke mbrojtur martirët e fshatit Reçak”, deklaroi Jakupi.
Me të marrë vendimin e nga MAPL, Jakupi njoftoi se ka thirrur Seancë Përkujtimore me rastin e Përvjetorit të Masakrës së Reçakut, e cila tha se do të mbahet më 15 janar 2026, nga ora 08:30 në sallën e Kuvendit të kësaj komune.
Por, me këtë vendim për seancë nuk u pajtua Komuna e Shtimes, e cila, përmes faqes zyrtare në Facebook, tha se me rastin e shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, është përgatitur vetëm agjenda zyrtare nga Këshilli Organizativ, në bashkëpunim me protokollin e shtetit.
“Nuk do të ketë seancë përkujtimore të paralajmëruar nga kryetari i PDK-së, përkatësisht asamblistit Rrahman Jakupi, pasi vendimi për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit, i dërguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) është ende në proces të shqyrtimit të ligjshmërisë sipas afateve ligjore”, tha komuna në njoftim.
Komuna po ashtu tha se ky njoftim mbështetet edhe në shkresën zyrtare të MAPL-së, duke shtuar se “kjo ftesë për mbledhje është në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-284 për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave, përkatësisht të nenit 9”.
Por, Jakupi reagoi sërish mbrëmjen e së mërkurës, duke thënë se vendimi i MAPL-së nuk ia ndalon atij ushtrimin e detyrës.
“Unë, me datë 03. 01. 2026 (11 ditë deri me sot), me një proces transparent dhe demokratik jam zgjedhur ligjërisht Kryesues i Kuvendit të Komunës dhe kjo është tashmë e njohur nga MAPL, e cila vetëm po shqyrton ligjshmërinë e vendimit, pa e pezulluar atë dhe pa e ndaluar ushtrimin e detyrës”, ka thënë mes tjerash Jakupi, duke publikuar edhe vendimin e MAPL-së.
Ai potencoi se “seanca mbahet nesër për martirët, për historinë, dhe për respektin që Reçaku meriton”. /Klankosova.tv


