Kryeparlamentari Basha pret në takim ambasadorin britanik, diskutojnë për seancën konstituive dhe antarësimin në NATO

news image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, raporton Gazeta Sinjali.

Në njoftimin e Kuvendit thuhet se Basha e falënderoi ambasadorin dhe shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës ndaj Mbretërisë së Bashkuar për rolin gjatë luftës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e shtetit, ekonomisë dhe institucioneve demokratike të vendit.

Gjatë takimit, kreu i Kuvendit e njoftoi ambasadorin për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e seancës konstituive.

“Kryetari Basha dhe Ambasadori Hargreaves zhvilluan diskutim të hapur për reformat demokratike të ndërmarra nga vendi ynë, ku Kryetari e siguroi ambasadorin që Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të Republikës, si dhe qëndron e vendosur në avancimin e integrimit tonë në familjen evropiane, dhe synimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO.”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, Ambasadori Hargreaves fillimisht e uroi Kryetarin Basha për detyrën e re dhe rikonfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe intensifikim të raporteve të Mbretërisë së Bashkuar me Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.

Takimi, siç theksohet, u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe ridëshmoi partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/