Disa grupe kryengritëse në Siri kanë nisur një ofensivë të befasishme kundër forcave të regjimit dhe aleatëve të tyre duke marrë nën kontroll pjesë të madhe të territorit dhe duke arritur në 5 kilometra pranë qendrës së Alepos. Kjo ka bërë që presidenti Assad të udhëtojë për në Moskë për të kërkuar ndihmë.
Grupet kryengritëse siriane kanë nisur një ofensivë të befasishme në pjesën perëndimore të vendit duke marrë nën kontroll së paku 10 rajone, dhjetëra fshatra dhe qytete si dhe disa baza dhe depo të armatimit të ushtrisë sirianë.
Sipas njoftimeve, për këtë ofensivë janë bashkuar grupe të ndryshme kryengritëse – ofensiva udhëhiqet nga Hay’et Tahrir al-Sham , ish degë e Al Kaeda-s në Siri dhe Ushtria e lirë siriane – grup sekular i përbërë së tepërmi prej luftëtarëve kurd i cili në të kaluarën përkrahej nga SHBA-të dhe Turqia por, në të po marrin pjesë edhe shumë grupe më të vogla me ideologji dhe prapavija të ndryshme.
Dukët se kjo ofensivë ka zënë forcat e regjimit në befasi dhe, për 24 orë, kryengritësit morën kontrollin e mbi 80 fshatrave dhe vendbanimeve dhe kanë arritur të afrohen në 5 kilometra larg qendrës së Aleppos. Gjithashtu është raportuar për numër të madh të viktimave në mesin e forcave siriane si dhe aleatëve të tyre në terren. Teherani ka konfirmuar se një gjeneral i lartë iranian është vrarë gjatë kësaj ofensive përderisa njoftohet për viktima tjera në mesin e forcave iraniane.
Njoftime të pakonfirmuara flasin edhe për raste të shumta ku forcat e regjimit, u tërhoqën nga bazat e tyre pa ofruar rezistencë të madhe.
Ndërkohë, si kundër përgjigje, aviacioni sirian dhe ai rus kanë filluar një fushatë të madhe të bombardimeve në Idlib, Hama si dhe kundër grupeve që përparojnë në Aleppo por, deri më tani, sulmet ajrore nuk kanë arritur të ngadalësojnë përparimin e kryengritësve.
Presidenti sirian, Bashar al Assad ka udhëtuar, urgjentisht, drejtë Moskës, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin. Besohet se qëllimi i kësaj vizite është kërkesa për ndihma emergjente ushtarake në njerëz dhe teknologji por ende nuk dihet se çfarë vendimi ka marrë Moska. /RTK/