Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili është një kritik i hapur i luftës së Izraelit në Gazë, ka bërë thirrje që shteti i Palestinës të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Deklarata e tij vjen një ditë pas samitit të udhëhequr nga Franca dhe Arabia Saudite, ku Franca shpalli njohjen zyrtare të shtetit palestinez.
“Kjo konferencë shënon një moment historik, por nuk është fundi i rrugës. Është vetëm fillimi”, tha Sanchez në një takim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Ai theksoi se është koha që Palestina të bëhet pjesë e plotë e organizatës botërore.
“Shteti i Palestinës duhet të jetë anëtar i plotë i Kombeve të Bashkuara. Procesi që shteti i Palestinës të bashkohet me këtë organizatë duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, në kushte të barabarta me shtetet e tjera”, u shpreh kryeministri spanjoll.
Spanja, së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë, e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez në maj të këtij viti. Aktualisht, Palestina njihet nga rreth 75% e 193 shteteve anëtare të OKB-së, ndërsa në organizatë ka statusin e një “shteti vëzhgues të përhershëm”, që i mundëson pjesëmarrjen, por jo të drejtën e votës.
Ndërkohë, pavarësisht njohjeve të reja, Izraeli po vazhdon ofensivën ushtarake që synon pushtimin e qytetit të Gazës. Banorët kanë deklaruar për mediat se tanket izraelite kanë depërtuar në qendër të qytetit nga veriu dhe jugu.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!