Kryeministri i riemëruar i Francës, Sebastien Lecornu, ka emëruar një qeveri të re, ndërsa përballet me presion për të hartuar urgjentisht një buxhet dhe për të shuar trazirat politike.
Qeveria e dytë e Lecornu brenda një muaji u formalizua me 34 ministra të dielën në mbrëmje.
Kabineti përfshin disa anëtarë që kanë shërbyer në qeveritë e mëparshme, nga kampi qendror i Macronit dhe konservatorët aleatë, si dhe disa njerëz jashtë sferës politike.
Ndër emërimet e reja është ish-ministrja e Punës, Catherine Vautrin, e cila tani shërben si Ministre e Mbrojtjes, e ngarkuar me mbikëqyrjen e mbështetjes ushtarake të Francës për Ukrainën dhe reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë nga Rusia.
Shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez, i cili menaxhoi sigurinë gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2024, bëhet Ministër i Brendshëm, përgjegjës për sigurinë kombëtare.
Roland Lescure merr detyrën e Ministrit të Financave, një rol kyç ndërsa Franca kërkon të hartojë një buxhet që adreson borxhin në rritje dhe varfërinë.
Ata që ruajnë pozicionet e tyre përfshijnë Ministrin e Jashtëm Jean-Noël Barrot, i cili do të shoqërojë presidentin Macron në Egjipt të hënën për një ceremoni ndërkombëtare që shënon armëpushimin në Gaza.
Bëhet e ditur se menjëherë pasi zyra e presidentit zbuloi kabinetin e ri, partia konservatore republikane tha se do të përjashtonte gjashtë anëtarët që kishin rënë dakord të bashkoheshin me qeverinë.
Ndërkohë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen tha se ata do të bëjnë thirrje për një votë mosbesimi ndaj qeverisë të hënën. /Telegrafi/