Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi prerazi se territori autonom nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe se, nëse do të kishte një zgjedhje, Groenlanda do të zgjidhte Danimarkën.
Deklaratat u bënë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, në një kohë kur tensionet mbi statusin dhe sigurinë e Arktikut janë të shtuara.
“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: Groenlanda nuk dëshiron të zotërohet nga SHBA-të, Groenlanda nuk dëshiron të qeveriset nga SHBA-të, Groenlanda nuk dëshiron të jetë pjesë e SHBA-ve”, tha Nielsen.
“Ne zgjedhim Groenlandën që njohim sot, e cila është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, shtoi ai.
Nielsen theksoi disa herë se Groenlanda “nuk mund të blihet” dhe se e ardhmja e saj duhet të vendoset ekskluzivisht nga groenlandezët. Ai bëri të ditur se ky do të jetë edhe mesazhi që delegacioni do t’i përcjellë autoriteteve amerikane në takimet e ardhshme.
Nga ana e saj, kryeministrja daneze Mette Frederiksen deklaroi se Danimarka po përballet me “presion të papranueshëm” nga aleati i saj më i afërt, duke paralajmëruar se “pjesa më e vështirë mund të jetë ende përpara”.
Ajo nënvizoi se çështja nuk ka të bëjë vetëm me Groenlandën, por me parime themelore ndërkombëtare, si mosndryshimi i kufijve me forcë dhe pamundësia për të “blerë një popull tjetër”.
Frederiksen theksoi gjithashtu se NATO duhet të mbrojë Groenlandën njësoj si çdo territor tjetër të Aleancës dhe se Danimarka do të bëjë gjithçka për të garantuar sigurinë në Arktik, në bashkëpunim me aleatët.
Ajo pranoi se situata po krijon pasiguri të panevojshme te popullsia e Groenlandës, duke e quajtur këtë “të papranueshme,” pasi, sipas saj, Groenlanda nuk ka kërkuar konflikt me askënd.
Kryeministrja daneze mbrojti gjithashtu vendimin e saj për të mos marrë pjesë personalisht në bisedime, duke sqaruar se niveli i takimeve ishte rënë dakord më herët me SHBA-të, pavarësisht vendimit të zyrtarëve amerikanë për të ndryshuar përbërjen e delegacionit.
Konferenca për shtyp u mbyll me një mesazh të përbashkët nga Frederiksen dhe Nielsen: Groenlanda nuk është në shitje, qëndron përkrah Mbretërisë së Danimarkës dhe çdo diskutim për të ardhmen e saj duhet të respektojë vullnetin e popullit groenlandez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


