Ministrat e Punëve të Jashtme nga vendet evropiane kanë deklaruar të enjten njëzëri se janë të gatshëm për të rritur presionin karshi Rusisë, “duke përfshirë sanksione të reja” që ngërthejnë sektorin e energjisë dhe atë bankar, me qëllimin për ta dobësuar luftën e Moskës në Ukrainë.
Takimit në Romë iu bashkuan zyrtarë të lartë nga Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ishin gjithashtu të pranishëm.
“Ne ripërsëritëm gatishmërinë tonë për të rritur presionin mbi Rusinë teksa ajo vazhdon të refuzojë angazhimet serioze dhe të besueshme, duke përfshirë sanksione të mëtejshme dhe duke kundërshtuar anashkalimin e tyre”, thuhet në njoftimin e përbashkët të kryediplomatëve.
Takimi në Romë është zhvilluar teksa Rusia ka përshkallëzuar sulmet në Ukrainë, për të cilat Moska thotë se janë masa hakmarrëse ndaj sulmeve të fundit të Ukrainës në territorin rus.
Përfaqësues nga të dyja vendet ishin takuar në Stamboll më herët këtë muaj për bisedime të paqes, të cilat dështuan përfundimisht të prodhojnë një marrëveshje të armëpushimit, që kërkohet nga aleatët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët evropianë kanë bërë të ditur të enjten se janë “të gatshëm të miratojnë me shpejtësi masat e reja (veçanërisht në sektorët e energjisë dhe atë bankar) që synojnë cungimin e përpjekjeve të luftës së Rusisë”.
Ata theksuan se do t’i mbanin asetet sovrane ruse të ngrira në juridiksionin e tyre “derisa Rusia të ndalojë agresionin e saj dhe të paguajë për dëmin që ka shkaktuar”.
Rreth 300 miliardë dollarë asete shtetërore ruse u ngrinë nga shtatë vendet më të industrializuara të botës (G7), pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Vitin e kaluar, udhëheqësit e G7-tës ranë dakord t’i japin Ukrainës 50 miliardë dollarë nëpërmjet një serie kredish dypalëshe që Kievi mund t’i paguante duke përdorur fitimet nga këto asete ruse të ngrira.
“Ne jemi të përgatitur të rrisim mbështetjen tonë, duke përfshirë përmirësimin e bashkëpunimit industrial të mbrojtjes me Ukrainën dhe duke eksploruar forma të tjera të bashkëpunimit të sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhej në deklaratë, pa ndonjë hollësi tjetër.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!