Kompania Rajonale e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve (KRU) Gjakova ka bërë thirrje urgjente për kursim të ujit në të gjitha zonat e shërbimit, pas rënies së nivelit të Liqenit mbi 7.5 metra si pasojë e thatësisë së zgjatur dhe kushteve atmosferike të pafavorshme.
Sipas kompanisë, kjo situatë ka zvogëluar ndjeshëm prurjet në Fabrikën e Përpunimit të Ujit, ndërkohë që konsumi aktual i ujit tejkalon kapacitetin e prodhimit.
Për këtë arsye, KRU Gjakova u bën thirrje banorëve që ujin ta përdorin vetëm për nevoja elementare familjare dhe të shmangin përdorimin për qëllime dytësore.
Kompania paralajmëron se, nëse situata nuk përmirësohet, do të detyrohet të aplikojë reduktime të dhunshme dhe menaxhim me orar të furnizimit, për të siguruar furnizim sa më të drejtë për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/