Në një zhvillim që ka tronditur tregjet energjetike globale, Rusia po përballet me një krizë të pazakontë në sektorin e rafinimit të naftës, pas një serie sulmesh me dronë të kryera nga Ukraina ndaj rafinerive kyçe.
Aktualisht rreth 38 për qind e kapacitetit total të rafinimit në vend është jashtë funksionit, duke shënuar nivelin më të lartë të ndërprerjes që nga fillimi i këtij sektori në Rusi.
Kjo situatë ka sjellë pasoja të mëdha në prodhimin e produkteve naftë-përpunuese, veçanërisht në prodhimin e benzinës, i cili ka pësuar një rënie prej rreth 1 milion tonësh vetëm gjatë muajit shtator.
Kjo ka shkaktuar një mungesë prej 20 për qind në furnizimin vendas, duke i detyruar autoritetet ruse të përballen me sfida të mëdha për sigurimin e karburanteve për tregun e brendshëm.
Ekonomistë të cituar nga Parlamenti Evropian përmes mediave ruse RBC theksojnë se kompanitë e naftës në Rusi kanë mundësi të kufizuara për të zbutur ndikimet e kësaj krize.
Riparimet dhe rikthimi në normalitet parashikohet të zgjasin disa muaj, pasi sanksionet ndërkombëtare kanë vështirësuar qasje në pjesë këmbimi dhe teknologji të nevojshme për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e rafinerive.
Kjo krizë jo vetëm që dobëson pozicionin e Rusisë si një nga eksportuesit kryesorë të energjisë në botë, por gjithashtu krijon pasiguri në tregjet globale të karburanteve dhe energjisë, duke pasur potencialin të ndikojë në çmimet dhe furnizimin në shumë vende. /Telegrafi/