Krizës politike në Kosovë nuk po i shihet fundi. Kjo pasi partitë politike nuk po japin shenja kompromisi edhe pasi Gjykata Kushtetuese ka publikuar dispozitivin e aktgjykimit të tretë për konstituimin e Kuvendit.
Partitë politike kanë vazhduar të ia hedhin fajin njëra-tjetrës për ngërçin politik që e ka kapluar Kosovën pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ndonëse thonë se janë në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë, përfaqësuesit e partive politike nuk kanë treguar gatishmëri për kompromis rreth tejkalimit të situatës aktuale politike.
Aspak gatishmëri për një kompromis të tillë nuk po tregon as VV-ja.
Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, dje la të nënkuptohet se do të vazhdojë me avazin e vjetër.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet ta shohim atë në mënyrë të plotë për të dhënë vlerësimin tonë, por ajo që mund të them tani është se konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kuvendi i Republikës e ka zgjedhë kryetarin Dimal Bashën, i ka zgjedhë katër nënkryetarët Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Është dashur të vazhdoj puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se Gjykata Kushtetuese nuk mund të anulojë votimin për Emilja Rehepi.
“Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet. Prandaj ne kemi ngelur vetëm te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb. Por mos harroni, nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq”, ka deklaruar ai, duke e kritikuar “opoziten” që nuk e ka votuar Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit.
“Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori vetëm 10 vota, e Nenad Rashiq 56. Vetëm pesë vota t’ia jepnin këta 52 që janë të opozitës, sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”, ka thënë Kurti.
Kurse, përfaqësuesit e “opozitës” e kanë kritikuar VV-në për bllokadën në vend.
PDK-ja ka bërë me dije se nuk do të ketë votë për postin e nënkryetarit nga Lista Serbe.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!