Krimi në Shkodër, Ragip Gila u kontraktua nga një grup kriminal

news image

Ragip Gila, i dyshuari kryesor për masakrën me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër, dyshohet se ka vepruar për llogari të një grupi kriminal, me qëllim eliminimin e Erogen Vaso Brajoviç. Pas hetimeve paraprake, grupi hetimor ka dalë në përfundimin se Gila nuk veproi për motive personale, siç pretendonte pas arrestimit, por në shërbim të këtij grupi kriminal.

Policia ka ngritur ndaj Gilës akuza të rënda, përfshirë vrasje në rrethana të tjera cilësuese, vjedhje me armë, shkatërrim prone dhe mbajtje pa leje të armëve. Gjatë arrestimit, autoritetet sekuestruan një automatik, një pistoletë me fishekë, një skafandër, një maskë, një jelek antiplumb dhe një shishe me lëndë djegëse që dyshohet se do të përdorej për shkatërrimin e provave. Pas ngjarjes, policia zbuloi dy baza armatimi dhe shpalli në kërkim dy bashkëpunëtorë të Gilës, Barush alias Bajram Bregun dhe një 17-vjeçar. Në banesën e tyre u gjetën shtatë armë zjarri, municion luftarak dhe kapsolla detonatore.

Ndaj tyre janë ngritur akuza për krijim kushtesh për vrasje, mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve, shpërthyesve dhe municionit, si dhe për vjedhje. Pas arrestimit të Gilës në shtratin e lumit Kir, policia ushtroi kontrolle në banesat e fisit Lici, kundërshtar i Bajrave, dhe kontigjentëve të dyshuar për lidhje me ta.

Në një prej banesave u gjetën një armë automatike, 6 pistoleta, municion, 45 kapsolla detonatore, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura, 5 dronë, pajisje shtesë për dronë, një laptop dhe 5 aparate fotografike. Banesa është në pronësi të një personi që jeton jashtë vendit dhe që e ka dhënë me qira.

Policia vijon kontrollet në baza të tjera në Shkodër, ndërsa armët e sekuestruara janë dërguar për ekspertim në laboratorin kriminalistik për të përcaktuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.

Ngjarja ndodhi të hënën në mëngjes, kur Ragip Gila hyri në një lokal në Shkodër dhe qëlloi në drejtim të tavolinës ku ndodheshin Erogen Vaso Brajoviç dhe dy persona të tjerë. Për pasojë, mbetën të vrarë Armando Pali, ish-punonjës i IMT-së, dhe Lirodon Kraja Lushi, ndërsa u plagosën Brajoviç dhe kamarierja e lokalit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/