Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve në Drenas, ku PDK-ja nuk arriti të fitojë, duke uruar Ramiz Lladrovcin për mandatin e ri si kryetar komune.
Në një konferencë për media, Krasniqi tha se asnjë parti, përfshirë PDK-në, nuk i ka arritur plotësisht objektivat në këtë garë zgjedhore.
Humbjen në Drenas e cilësoi si “shije të hidhur” dhe përsëritje të situatës së katër viteve më parë.
“Anjëra parti politike në këtë proces, e as ne si PDK, nuk i arritëm objektivat e plota në këtë garë zgjedhore. Natyrisht, na la një shije të hidhur humbja në Drenas, një përsëritje e situatës së para katër viteve kur elektorati ynë u nda në dy tabore. Por këtë herë kundërkandidati i PDK-së mori besimin e qytetarëve. Kryetarit të zgjedhur ia uroj fitoren dhe shpresoj se do të punojë në të mirë të qytetarëve,” tha Krasniqi.
Ai shtoi se përkundër humbjes lokale, mbështetja për PDK-në mbetet e fortë në nivel qendror dhe se partia do të përqendrohet tani në balotazhin e 9 nëntorit.
“Mesa e kam kuptuar, zoti Lladrovci do të kthehet te zyret që ka pasur më herët. Por zyret e PDK-së janë aty ku është kryesia legjitime e saj. Gara atje ka përfunduar, fokusi ynë tani është në balotazh. Ne do ta trajtojmë situatën pasi të përfundojë ky proces zgjedhor, sepse për të gjithë ne më e rëndësishme është qytetari i Drenasit,” deklaroi Krasniqi./Telegrafi/