Krasniqi: Me ShBA-të në krah, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë!

Krasniqi: Me ShBA-të në krah, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me dëshminë e ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, sot në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai tha se Rubin po dëshmon në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke e quajtur këtë një dëshmi të qartë për drejtësinë e luftës së UÇK-së, raporton Klankosova.tv.

“James Rubin, diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, po flet në mbrojtje të Presidentit Thaçi dhe shokëve të tij. Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, raporton Klankosova.tv.

Ai ka shtuar se shqiptarët sot nuk kërkojnë asgjë më shumë përveç drejtësisë, duke theksuar se Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre. Prandaj, drejtësi dhe vetëm drejtësi, asgjë më shumë nuk kërkon sot asnjë shqiptar anembanë botës. Sepse me SHBA-të në krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha!”, shkroi Krasniqi./Klankosova.tv

The post Krasniqi: Me ShBA-të në krah, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë! appeared first on Klan Kosova.