Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është shembull i demokracisë së brendshme.
Në Rubikon të Klan Kosova, duke komentuar deklarimin e kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, pas takimit të gjatë të së martës, ai tha se nuk ka vërejtur që i njëjti dëshiron të largohet nga partia.
“E rrugës do të ishte që të ketë një dorëheqje, nëse jo mocion mosbesimi, të ketë një kryetar në detyrë, më shumë teknik, i cili do të administronte procesin e zgjedhjeve të brendshme, të hapet gara për kandidatura për kryetarë. LDK duhet të jetë shumë më e qartë se kush duhet t’i përfaqësojë, partia duhet ta rigjejë veten. Me arnime të momentit, nuk mund të lëvizin nga vendi i tretë e më lart”, deklaroi Krasniqi.
Ndërkaq, opinionisti Labinot Balaj tha se ardhja e Abdixhikut në LDK është konsideruar nga strukturat si shpëtimtar i LDK-së.
“Qysh s’ka qenë Isa Mustafa problemi i LDK-së, as Abdixhiku nuk është zgjidhja e atyre problemeve që e karakterizojnë LDK-në, nuk reduktohen problemet e LDK-së në figura të përveçme. Problemet janë struktura organizative dhe ideore e saj, pra kriza e mendimit politik. Shpeshherë ka pasur diskrepancë mes asaj që qysh pandehet LDK-ja si e djathtë, por ka prezantuar program të majtë”, deklaroi mes tjerash Balaj.
Ndiqeni videon më poshtë:


