KQZ ka miratuar këtë të hënë programin për Trupat Menaxhuese të Zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, si dhe vendosi hapjen e një Qendre të Votimit në lagjen “Marigona Residence” në Graçanicë.
Vendimet e tjera të rëndësishme përfshijnë miratimin e procedurës për Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta dhe largimin nga lista votuese të personave të vdekur, shkruan EO, transmeton klankosova.tv.
Sipas raportit të Drejtorit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, nga fillimi i periudhës për ndërrim të Qendrës së Votimit më 28 qershor e deri më 24 gusht, janë pranuar 8 mijë e 107 kërkesa, prej të cilave 7 mijë e 432 janë aprovuar. Ndërkaq, për votuesit jashtë Kosovës që do të votojnë me postë, janë aprovuar 21 mijë e 436 kërkesa dhe refuzuar 5 mijë e 244 deri më 25 gusht 2025. Afati për të dy proceset përfundon më 29 gusht.
Programi i stafit zgjedhor sipas udhëheqësit të Këshillit për Operacione Zgjedhore, Arianit Elshani përfshin trajnerë, anëtarë të Këshillave të Vendvotimit, ekipe mobile për votimin e personave me nevoja të veçanta, numërues në Qendrat Komunale të Numërimit dhe stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Udhëzuesi për Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta ka për qëllim lehtësimin e procesit dhe garantimin e të drejtës kushtetuese për të gjithë qytetarët.
Në kuadër të përmirësimit të listës votuese, KQZ vendosi largimin e 1 mijë e 514 personave të vdekur që në ditën e zgjedhjeve do të kishin moshën 95 vjeç ose më shumë.
The post KQZ vendos t’i largojë nga lista e votuesve emrat e 1514 personave të vdekur appeared first on Klan Kosova.