KQZ nis shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

KQZ nis shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar procesi i shtypjes së fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025, për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.

Shtypja po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë “Cetis” në Celje të Sllovenisë, nën mbikëqyrjen e delegacionit të KQZ-së të udhëhequr nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, me pjesëmarrjen e anëtarëve Alban Krasniqi dhe Muharrem Nitaj, si dhe stafit të Sekretariatit.


Përveç fletëvotimeve, do të shtypen edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Në fazën e parë po shtypen fletëvotimet për 43,993 shtetas të Kosovës jashtë vendit, të cilat do t’u dërgohen përmes postës. Më pas procesi do të vazhdojë me shtypjen e fletëvotimeve për votimin brenda Kosovës.

Sipas vendimit të KQZ-së më 7 shtator, për raundin e parë do të shtypen 1,800,410 fletëvotime për Kryetarë të Komunave dhe 1,800,410 për Kuvendet Komunale. Ky numër përfshin votimin e rregullt, votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe votimin me postë.

Në këtë proces, KQZ do të shtypë 13% më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, i cili është 2,069,098 sipas Listës Votuese të certifikuar.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 938 qendra votimi me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 janë për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 qendra për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.