Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se rezultatet preliminare nga Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) janë tashmë të qasshme për publikun përmes platformës zyrtare online.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, KQZ ka bërë të ditur se qytetarët mund të vizitojnë faqen https://resultslocal2025.kqz-ks.org për të parë të dhënat në kohë reale nga procesi i numërimit.
Sipas njoftimit, platforma përmban këto kategori të rezultateve: Rezultatet për zgjedhjet e Kryetarëve të Komunave; Rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale; dhe Numri i votave për kandidatët individualë për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
KQZ sqaroi gjithashtu se në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç numërimit të votave për kandidatët, bëhet edhe verifikimi i saktësisë së të dhënave nga formularët e plotësuar në vendvotime, në përputhje me Rregulloren Zgjedhore.
“Ky hap vjen pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, ndërsa rezultatet e përditësuara po publikohen gradualisht, në përputhje me përpunimin teknik dhe verifikimet ligjore”, thuhet në njoftimin për media.
KQZ ka ftuar qytetarët, partitë politike dhe mediat që të shfrytëzojnë platformën për të ndjekur zhvillimet më të fundit dhe të sigurohen për transparencën e procesit zgjedhor./Telegrafi/