Në ueb-faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë filluar të publikohen rezultatet e para të zgjedhjeve lokale që u mbajtën sot në mbarë vendin.
Megjithatë, sipas KQZ-së, përqindja e votave të numëruara është ende shumë e vogël, dhe rezultatet kanë karakter preliminar.
Sipas të dhënave të deritanishme nga Prishtina, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, kryeson me 44.27 për qind të votave.
Pas tij renditet Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 26.74 për qind, ndërsa në vendin e tretë është Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me 25.39 për qind.
Kandidatët e tjerë kanë marrë përqindje dukshëm më të ulëta:
Besa Shahini (PSD) – 1.57%
Fatmir Selimi (i pavarur) – 1.12%
Bekë Berisha (AAK) – 0.67%
Ndërkohë, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se pjesëmarrja në votime ka qenë 39.07 për qind, krahasuar me 43 për qind në zgjedhjet e kaluara lokale.
“Në shumë vendvotime tashmë ka filluar numërimi i votave për kandidatët për kryetarë komunash. Pas këtij procesi, do të vazhdohet me numërimin e votave për asambletë komunale”, tha Radoniqi.
Rezultatet preliminare do të përditësohen vazhdimisht gjatë natës në ueb-faqen e KQZ-së.