KQZ: Mbi 28 mijë vota nga jashtë Kosovës miratohen për numërim

KQZ: Mbi 28 mijë vota nga jashtë Kosovës miratohen për numërim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës është duke vazhduar me intensitet. Deri të enjten në orën 16:00, janë vlerësuar mbi 32,000 pako, të dërguara përmes postës nga votuesit jashtë vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 28,200 pako janë aprovuar, ndërsa rreth 2,700 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit, dokumentit unik që KQZ-ja u dërgon votuesve të regjistruar për të garantuar vlefshmërinë e votës së tyre.


Procesi i tërheqjes së pakove është përmbyllur të martën, përmes 23 kutive postare të shpërndara në 22 shtete dhe në Kosovë, prej nga janë tërhequr gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime. Një pjesë e këtyre pakove tashmë janë sjellë në Kosovë dhe janë në fazën e verifikimit.

Në përfundim të procesit të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për numrin përfundimtar të pakove të aprovuara, të cilat më pas do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).