Wednesday, January 14, 2026
spot_img
HomeLajmeKQZ-ja thotë se varësisht prej gjetjeve, rinumërimi mund të zgjerohet në vendvotime...

KQZ-ja thotë se varësisht prej gjetjeve, rinumërimi mund të zgjerohet në vendvotime të tjera

Varësisht nga gjetjet gjatë procesit të rinumërimit të të gjitha vendvotimeve në 10 komuna dhe 10% të vendvotimeve në komunat tjera, procesi mund të zgjerohet edhe për vendvotime të tjera, ka paralajmëruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Një ditë më parë, KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e 914 kutive nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Dyshimet për mospërputhje të votave ndërmjet kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike kanë bërë që Komisioni të marrë këtë vendim, që prek rreth 36% të vendvotimeve në nivel vendi.

“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të kemi rinumërim të të gjitha vendvotimeve, ndërkaq në 28 të tjera do të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre. Varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera”, tha Elezi.

Ai shtoi se qëllimi i rinumërimit është garantimi i saktësisë së rezultatit të zgjedhjeve. Vendimi i KQZ-së vjen pas verifikimit të votave të kandidatëve nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezultoi se numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhej me numrin e votave në fletëvotime.

“Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Ky veprim synon verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë në mënyrë të drejtë dhe të besueshme vullnetin e qytetarëve”, tha Elezi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT