KQZ: Gjatë javës i dërgojmë të gjitha pakot me fletëvotime jashtë Kosovës

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur për herë të parë që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë përmes postës pakot me fletëvotime për të votuar në Zgjedhjet Lokale.

Ky shërbim i drejtohet 43,933 shtetasve të Kosovës, të cilët aplikuan dhe u regjistruan për të votuar përmes postës në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime është duke vazhduar, ndërsa votimi me postë jashtë Kosovës ka nisur zyrtarisht më 17 shtator. Deri më tani, më shumë se 15,000 pako individuale janë dërguar jashtë Kosovës, ndërsa mijëra të tjera pritet të dërgohen deri në fund të kësaj jave.

“KQZ synon që brenda javës të përmbyllë procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 44 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale. Është hera e parë që KQZ i ka dhënë vetes detyrë që shtetasve të cilët regjistrohen për të votuar përmes postës, t’ua dërgojë përmes postës pakon me nga dy fletëvotime: një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal”, tha Elezi.

Ai shtoi se, edhe pse votuesit jashtë Kosovës nuk i kanë marrë ende pakot në kohën e fillimit të votimit, afati prej mbi 20 ditësh është i mjaftueshëm. KQZ ka hapur kutitë postare në dhjetëra shtete të botës për të lehtësuar procesin.

“Vlerësojmë se afati i vendosur nga ana e KQZ për votimin jashtë Kosovës me postë është i mjaftueshëm. Janë më shumë se 20 ditë në dispozicion të shtetasve të Kosovës, pra të votuesve, për të dërguar pakon e tyre me fletëvotime në ndonjërën nga kutitë postare të cilat KQZ i ka hapur në 23 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën”, u shpreh Elezi.

Gjatë takimit të fundit të KQZ-së u bë e ditur se deri më tani vetëm rreth 34% e fletëvotimeve janë proceduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/