Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se institucioni që ai udhëheq është plotësisht i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen nesër.
Radoniqi ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit lokalë.
“Në emër të KQZ-së, ftojmë të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike, të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, ka thënë Radoniqi në mbledhjen e fundit para zgjedhjeve.
Ai shtoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor.
“KQZ-ja, sekretariati i KQZ-së, të cilët i falënderoj për gjithë punën që e kanë bërë, ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe operacionale për të organizuar zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër”, ka theksuar ai.
Sipas Radoniqit, në funksion të garantimit të integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor, KQZ është në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit.
“Me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor, KQZ-ja ka një bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit, të cilët janë të pranishëm dhe të angazhuar me ekipet e tyre në të gjitha komunat e vendit për të siguruar një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe të sigurt”, ka deklaruar ai.
Në fund, Radoniqi ka përsëritur thirrjen për qytetarët që të dalin në votime.
“Prandaj, përfundimisht ju ftoj qytetarë të Republikës së Kosovës që nesër ta shfrytëzoni të drejtën tuaj për të votuar dhe për të përzgjedhur përfaqësuesit tuaj të preferuar”, ka thënë tutje Radoniqi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!