​KPM merr kryesimin e Rrjetit mesdhetar të rregullatorëve të mediave, Berisha: Detyra kryesore është forcimi i pavarësisë

​KPM merr kryesimin e Rrjetit mesdhetar të rregullatorëve të mediave, Berisha: Detyra kryesore është forcimi i pavarësisë

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka marrë kryesimin e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore të Mediave (MNRA), duke u bërë nikoqir i Asamblesë së 24-të Plenare të këtij rrjeti që po mbahet më 2–3 tetor në Prishtinë.

Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, mori Presidencën e MNRA-së nga homologu i tij nga Armenia, Higran Hakobyan, duke vendosur Kosovën në qendër të dialogut dhe bashkëpunimit rajonal në fushën e rregullimit të mediave.


Me këtë rast, Berisha tha se Komisioni duhet të zgjerojë perspektivat.

Sipas tij, detyra kryesore është forcimi i pavarësisë së rregullatorit.

“Mediat nuk duhet ta krijojnë vizionin e paqes së rreme, as të përhapin frikë dhe nxitje. Komisioni duhet të synojë më lart, jo vetëm të informojë, por edhe të zgjerojë perspektivat. Ta ruaj identitetin njerëzor. Këtu bëhet kyçe gazetaria konstruktive. Jo vetëm të dalë me lajme sensacionale por që tregon edhe mirëkuptim…

Mediat mund t’i fuqizojnë qytetarët, apo të përhapin frikë dhe zhgënjim. Forca për ta kapur është e pamatshme. Prandaj, detyra për të rregulluar mediat është përgjegjësi. Nuk është vetëm detyrë e Rregullatorit, është përgjegjësi e përbashkët. Qeveritë duhet ta respektojnë [Rregullatorin], mediat duhet ta respektojë dhe mbështesin, shoqëria civile duhet ta monitorojë, qytetarët duhet ta kërkojnë. Vetëm kështu krijohet një mjedis ku liria mediale nuk është një slogan, por është realitet…

Të punojmë së bashku që ta forcojmë pavarësinë e rregullatorit, të kërkojmë përgjegjësi nga mediat dhe ta shpalosim ndikimin e fshehtë sepse në fund të fundit kjo s’ka të bëjë vetëm me mediat, por edhe me të ardhmen tonë”, tha ai, raporton KP.

Në konferencë po marrin pjesë autoritete rregullatore nga rajoni i Mesdheut, së bashku me gazetarë, akademikë psikologë, dhe përfaqësues të shoqërisë civile.