Kombëtarja e Kosovës U21 do të kërkojë tre pikët në përballjen e radhës ndaj San Marinos në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027.
Përzgjedhësi Afrim Tovërlani dhe mesfushori Igball Jashari kanë theksuar rëndësinë e ndeshjes, duke paralajmëruar se nuk ka kundërshtar të lehtë, pavarësisht reputacionit të rivalit.
Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Tovërlani pranoi se ekipi është nën presion për rezultat, por kërkoi qetësi dhe përqendrim.
“Jam i vetëdijshëm që i gjithë opinioni do të na kritikojë nëse nuk e mposhtim San Marinon. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse synojmë vendin e dytë në këtë grup. Nuk ka ndeshje të lehta dhe kundërshtar të lehtë. Në grup jemi me skuadra shumë të forta, pjesëmarrëse në Evropian”.
Ai shtoi se skuadra do të pësojë ndryshime në formacion për shkak të natyrës së kundërshtarit.
“Spanja është favoritja e grupit, megjithatë, edhe ne kemi një grup të mirë lojtarësh dhe nuk do të heqim dorë nga lufta për vendin e dytë. Do të ndryshojmë formacionin sepse është ndryshe të luash me Spanjën dhe ndryshe me San Marinon”.
Përzgjedhësi konfirmoi gjithashtu mungesën e mesfushorit Arianit Hasani, i cili është kthyer në klub për shkak të lëndimit.
“Kemi analizuar të gjitha ndeshjet tona, por edhe kundërshtarin. Futbollistët e kanë kuptuar që me disiplinë dhe seriozitet duhet t’i qasemi ndeshjes. Arianit Hasani do të jetë mungesë, pasi ka pësuar një lëndim”.
Edhe mesfushori Igball Jashari përcolli një mesazh optimist, duke besuar në një reagim pozitiv pas dy sfidave të kaluara.
“Dy ndeshjet e kaluara kundër Rumanisë dhe Spanjës i kemi zhvilluar mirë, duke treguar paraqitje pozitive. Golat i kemi pësuar si pasojë e gabimeve tona. Nesër, ndaj San Marinos, shpresoj të arrijmë një rezultat pozitiv, sepse jemi një grup i mirë dhe duhet ta tregojmë këtë në fushë”.
Jashari përfundoi duke nënvizuar se Kosova U21 nuk do të nënvlerësojë askënd.
“Nuk ka kundërshtar të lehtë, pavarësisht se mund të duken të tillë në letër. Megjithatë, ne do të japim maksimumin për të arritur fitore”.
Kosova U21 do të kërkojë me ngulm fitoren për të mbetur në garë për vendin e dytë në grup, që mund të çojë në fazën finale të Euro 2027./Telegrafi/