E diel, 15 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeKosova privon nga shtetësia Nikola Vujoviq, shkak rrezikimi i sigurisë kombëtare

Kosova privon nga shtetësia Nikola Vujoviq, shkak rrezikimi i sigurisë kombëtare

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë një vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës të Nikola Vujović, i cili dyshohet se ka rrezikuar sigurinë kombëtare.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Sveçla theksoi se ky vendim është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur rendin kushtetues dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Ministri i Brendshëm përmendi se Serbia ka realizuar një strategji agresive duke përfshirë individë nga Kosova në strukturat e sigurisë dhe inteligjencës të saj, akt ky që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe cënon sigurinë kombëtare.

“Në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizimin e brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës në institucionet e saj të sigurisë dhe inteligjencës. Ky akt është në kundërshtim me ligjet tona dhe cënon sigurinë kombëtare”, tha Sveçla.

Ai theksoi se, duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është një çështje e rëndësishme për mbrojtjen e rendit ligjor dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.

“Duke u mbështetur në legjislacionin përkatës të shtetësisë, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë kombëtare, si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, përfundoi Sveçla.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT