Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të ndeshjes së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Pas humbjes së rëndë 4-0 kundër Zvicrës në ndeshjen hapëse, “Dardanët” synojnë të reagojnë para tifozëve dhe të marrin pikët e para në këtë fushatë. Por edhe Suedia është nën presion, pasi ndeshjen e parë e mbylli me barazim 2-2 ndaj Sllovenisë.
Atmosfera në kryeqytet pritet të jetë e jashtëzakonshme, me përkrahje të madhe nga tifozët vendas.
Historiku i përballjeve nuk është në favor të Kosovës, pasi Suedia ka fituar të tria ndeshjet e mëparshme — dy zyrtare dhe një miqësore. Megjithatë, kjo sfidë paraqet një mundësi të artë që Kosova të shkruajë historinë në shtëpi dhe të marrë një fitore të rëndësishme ndaj skandinavëve.
Takimi fillon në orën 20:45 dhe pritet të sjellë emocione të forta për të dyja skuadrat.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!