Kosova përfshihet në ECMI – një hap historik në rrugën drejt integrimit evropian

Kosova përfshihet në ECMI – një hap historik në rrugën drejt integrimit evropian

Kosova është përfshirë zyrtarisht në Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI) të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), duke shënuar një moment historik në procesin e integrimit evropian të vendit.

Kjo nismë, e cila u formalizua në vitin 2023, kishte përjashtuar Kosovën për shkak të mungesës së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mirëpo, falë përpjekjeve të vazhdueshme të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), përmes Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) dhe me mbështetjen e Presidentit të EESC-së, z. Oliver Röpke, Kosova tashmë është bërë pjesë e kësaj platforme të rëndësishme evropiane.


Në kuadër të kësaj nisme, KCSF ka udhëhequr një fushatë rajonale avokuese, e mbështetur nga 104 organizata të shoqërisë civile nga i gjithë Ballkani, duke kërkuar përfshirjen e Kosovës në ECMI.

Sipas KCSF-së, kjo është një arritje e madhe e shoqërisë civile kosovare dhe rajonale, që tregon se solidariteti dhe bashkëpunimi përtej kufijve mund të prodhojnë ndryshime konkrete.

“Përfshirja e Kosovës në ECMI është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët shumëvjeçare për të siguruar që zëri i shoqërisë civile të dëgjohet në proceset e integrimit evropian. Kjo përbën një fitore për Kosovën dhe për barazinë në rajon,” thuhet në reagimin e KCSF-së.

Çfarë është EESC dhe ECMI?

Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (EESC) është një trupë këshilluese e Bashkimit Europian e themeluar në vitin 1957, e cila përfaqëson zërin e shoqërisë civile dhe partnerëve socialë në proceset e politikëbërjes së BE-së. Me 329 anëtarë nga 27 shtetet anëtare, EESC luan një rol thelbësor në këshillimin e institucioneve të BE-së dhe në nxitjen e dialogut me qytetarët europianë.

Në shtator të vitit 2023, EESC lançoi Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI), e cila përfshin përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve social nga vendet kandidate të BE-së, me synimin për t’i përgatitur ato për integrimin e plotë në Bashkim.

Rruga drejt përfshirjes së Kosovës

Kosova fillimisht kishte mbetur jashtë ECMI-së për shkak të mungesës së statusit formal të vendit kandidat.

Në prill të vitit 2024, KCSF nisi një fushatë reagimi dhe avokimi në EESC, duke argumentuar se mospërfshirja e Kosovës ishte në kundërshtim me parimet e barazisë dhe përfshirjes që promovon vetë Bashkimi Europian.

Në maj 2024, përfaqësues të KCSF dhe shoqërisë civile kosovare zhvilluan një takim me drejtuesit e EESC-së në Bruksel, ku u kërkua korrigjimi i këtij vendimi. Kjo kërkesë u përsërit edhe gjatë Konferencës së Nivelit të Lartë për Shoqërinë Civile, të mbajtur në tetor të po atij viti.

Në nëntor 2024, BCSDN, me mbështetjen e mbi 100 organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani, dorëzoi një letër zyrtare në EESC me kërkesën për përfshirjen e Kosovës në ECMI – kërkesë që tashmë është realizuar.

Rëndësia e këtij zhvillimi

KCSF vlerëson se ky vendim përfaqëson një hap të madh drejt integrimit europian të Kosovës, duke i mundësuar shoqërisë civile të vendit të jetë pjesë aktive në proceset e politikëbërjes së BE-së.

Ky zhvillim gjithashtu forcon bashkëpunimin rajonal, promovon vlerat e barazisë dhe solidaritetit dhe afron Kosovën më shumë me strukturat formale të Bashkimit Evropian.

“Ky është një hap i vogël në formë, por me domethënie të madhe për përfshirjen e Kosovës në Evropën e vlerave dhe bashkëpunimit,” thuhet në fund të deklaratës së KCSF-së. /Telegrafi/