Demarkimi i kufirit shtetëror me Malin e Zi është i papërfunduar. Ndërkaq edhe me Serbinë pritet të ketë problem kurdo që ai të nisë.
Përveç aspektit politik, probleme pritet të paraqesin edhe lëvizjet e fundit që Serbia ka bërë nëpër harta, në pjesën më veriore të kufirit me Kosovën, konkretisht në Leposaviq.
Gazetari Liridon Zeqiri, duke folur në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova si autor i dokumentarit “Tokë që s’falet”, ka treguar se vendi në pesë vitet e fundit nuk ka komision për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit.
“Ekspertët na kanë thënë se me Malin e Zi është përmbyllur vetëm faza e parë, delimitimi. Demarkimi s’mund të kryhet kur ka mungesa të komisionit. Kurti e ka kundërshtuar procesin e demarkimit, ndërkaq tash e 5 vjet nuk ka emëruar komision për t’i dhënë fund procesit”.
“Edhe nëse dikush sjell fakte se është humbur territor, pra sjell fakte të reja, kush ka për t’i trajtuar ato?”, tha Zeqiri.
Në dokumentar mund ta shihni se si Serbia ka lëvizur kufirin dhe problemet që mund të pasojnë nga kjo në të ardhmen. /Klankosova.tv


