Kosova një javë larg zgjedhjeve lokale

Kosova një javë larg zgjedhjeve lokale

Nga vota e qytetarëve të Kosovës do të zgjidhen gjithsej 38 kryetarë komunash dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale

Ka mbetur edhe një javë deri kur qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësinë të zgjedhin kryetarin e komunës ku jetojnë dhe anëtarët e kuvendeve komunale, raporton Anadolu.

Më 12 tetor, kutitë e votimit do të jenë të hapura për verdiktin qytetar – zgjedhjet e tetat me radhë për kuvendet komunale dhe të gjashtat për kryetarë komunash.


Nga vota e shtetasve të Kosovës do të zgjidhen gjithsej 38 kryetarë komunash dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 12 tetor u mor në muajin qershor të këtij viti nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimeve me partitë politike dhe në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore.

Këto zgjedhje vijnë në një kohë kur institucionet qendrore janë përballur me sfida pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, pasi parlamenti ende nuk ka zgjedhur kryetarin dhe nuk është formuar qeveria e re.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon përgatitjet teknike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Sipas të dhënave të Listës Votuese, 2.025.105 qytetarë do të votojnë në vendvotimet brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërsa 43.993 votues janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

Votuesit jashtë Kosovës kanë pasur mundësinë të votojnë me postë duke filluar nga 17 shtatori 2025.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për zgjedhje është gjithsej 93: përfshirë 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Në garë do të jenë gjithsej 5.626 kandidatë, prej të cilëve 206 për kryetarë komunash dhe të tjerët për vende në kuvendet komunale.

Zhvillimi i zgjedhjeve në veri, ku komuniteti serb është shumicë, rrallë shoqërohet me konkurrencë apo përballet me sfida administrative të veçanta.

Pas një periudhe katërvjeçare në të cilën Lista Serbe bojkotoi institucionet lokale në veri të Kosovës, kjo parti është rikthyer në garën zgjedhore të 12 tetorit 2025.

Gjatë kësaj periudhe, katër komunat me shumicë serbe – Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – u drejtuan nga kryetarë shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke krijuar një situatë të pazakontë politike. Me rikthimin e Listës Serbe në zgjedhje, ekziston mundësia reale që këto komuna të kalojnë sërish nën drejtimin e përfaqësuesve serbë.

Zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021.