Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se kanë ndaluar përkohësisht importin e derrave, produkteve, nënprodukteve dhe materialit gjenetik të derrit nga Kroacia.
Kjo për faktin se në regjionin Osjecko Baranjska, Vukovarsko Srijemska të Kroacisë është konfirmuar prezenca e sëmundjes Murtaja Afrikane e Derrit.
Masa u mor me qellim parandalimin e përhapjes se sëmundjes në vendin tonë.
AUV tha se autoritetet kufitare të cilat veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit (Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës dhe AUV), do të ngritin masat e nivelit të kontrollit në të gjitha pikat kufitare për të penguar futjen në territorin e Republikës se Kosovës, çfarëdo lloj malli që hyn në kategorinë e produktit të ndaluar.
“Aktualisht nuk kemi ndonjë rast të dyshuar në ferma, jemi duke monitoruar në vazhdimësi situatat e lajmërimit të sëmundjeve dhe rrjedhën e përhapjes. Të gjithë inspektorët veterinarë të AUV-së dhe praktikat private veterinare janë aktive ne teren për të parandaluar shpërthimet dhe përhapjen e sëmundjeve”, tha AUV, raporton Klankosova.tv.
Aktualisht, sipas kësaj agjencie, janë aktive disa sëmundje në rajon, teksa u tha se Kosova deri me tani situatën e ka nën kontroll dhe se nuk ka asnjë rast të dyshuar.
Mortaja Afrikane e Derrave (MAD) është sëmundje virusale dhe vetë emërtimi i saj tregon se kjo sëmundje paraqitet vetëm tek derrat e butë dhe të egër, kurse llojet tjera të kafshëve nuk preken.
AUV thotë se përhapja e kësaj sëmundje mund të jetë shumë e madhe, pra transmetimi i kësaj sëmundje bëhet nga kafsha në kafshë, kontakti me pajisjet e ndryshme, ushqimit dhe lëvizjeve të njerëzve nga fermat e infektuara në femrat e paprekura nga kjo sëmundje.
MAD është sëmundje ngjitëse virale që shkakton ethe hemorragjike tek derrat e butë dhe derrat e egër. Përcjellët me letalitet të lartë deri në 100%. Kjo sëmundje është e karakterit ekonomik, nuk transmetohet tek njerëzit. /Klankosova.tv
The post Kosova ndalon importin e derrave nga Kroacia pas shpërthimit të Mortajës Afrikane appeared first on Klan Kosova.