E premte, 13 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeKosova merr vendim t’i pranojë 50 emigrantë nga ShBA-ja

Kosova merr vendim t’i pranojë 50 emigrantë nga ShBA-ja

Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim që parashikon pranimin e deri në 50 emigrantëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda një viti, me qëllim të lehtësimit të kthimit të sigurt të tyre në vendin e prejardhjes, raporton Gazeta Sinjali.

Në vendimin e miratuar, u sqarua se këta emigrantë do të qëndrojnë në Kosovë, dhe do të kenë mundësi për t’u kthyer në vendin e tyre të origjinës në kushte të sigurta.

“Miratuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për pesëdhjetë (50) persona, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Personat subjekt të këtij Vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi,” thuhet në vendimin e Qeverisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook se përzgjedhja e emigrantëve do të bëhet nga një listë e propozuar për ata që i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik.

Ai ka shtuar se, gjatë qëndrimit në Kosovë, këta persona do të veprojnë “në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi.”

Kryeministri ka vlerësuar bashkëpunimin me SHBA-në dhe ka theksuar se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik.”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT