Kosova bie ndjeshëm në sundimin e ligjit sipas raportit IDEA, Demi tregon arsyet

Kosova bie ndjeshëm në sundimin e ligjit sipas raportit IDEA, Demi tregon arsyet

Agron Demi nga Atlas Institute, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të organizatës ndërkombëtare International IDEA për gjendjen e demokracisë në botë për vitin 2025, ku Kosova shënon rënie në disa fusha kyçe.

Demi theksoi se demokracia nuk është vetëm fitore e shumicës, por edhe përfaqësim i të gjithëve, të drejta të barabarta, pjesëmarrje gjithëpërfshirëse dhe sundim i ligjit – fusha ku Kosova, sipas raportit, ka bërë hapa mbrapa.


“Kosova e ka marrë teposhtëzën në të gjitha këto, por sidomos në fushën e sundimit të ligjit. Partia në pushtet, edhe pas pesë vjet qeverisjeje, vazhdon të kritikojë gjyqësorin për politizim, por krejt çka mbetet në fund është fakti se Kryeministri, Ministri i Brendshëm, deputetët e partisë në pushtet nuk i japin fare llogari pushtetit gjyqësor, duke refuzuar të paraqiten në seanca gjyqësore apo në pyetje të prokurorisë”, u shpreh Demi.

Sipas raportit të IDEA-s, Kosova ka rënë:

18 vende në fushën e sundimit të ligjit;

8 vende në pjesëmarrjen në proceset demokratike;

6 vende në përfaqësim;ka shënuar një ngritje prej 2 vendesh në fushën e sigurimit të të drejtave.

Në reagimin e tij, Demi shtoi me ironi se edhe ky raport, sikurse shumë të tjera, nga pushteti do të cilësohet si i shkruar nga “armiqtë e popullit, imperialistët, kapitalistët, sorosistët dhe ojqistët, të cilët nuk po ia kuptojnë logjikën qeverisëse këtij pushteti”./Telegrafi/