Koreja e Jugut ka miratuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e telefonave të mençur dhe pajisjeve të tjera inteligjente në shkolla gjatë orarit të mësimit.
Vendimi, që do të hyjë në fuqi në mars të vitit 2026, u mbështet nga një shumicë e madhe në parlament – 115 nga 163 deputetë votuan pro.
Ky ligj vjen si pjesë e përpjekjeve për ta luftuar varësinë ndaj teknologjisë, sidomos tek të rinjtë. Sipas përfaqësuesve politikë dhe arsimorë, telefonat po ndikojnë negativisht në përqendrimin dhe rezultatet akademike të nxënësve.
Prindërit dhe mësuesit kanë përkrahur këtë vendim, duke theksuar se nxënësit po e humbasin kohën e mësimit duke u marrë me rrjete sociale dhe aplikacione të tjera.
Nga ana tjetër, ka edhe kundërshtime – kryesisht nga vetë nxënësit, të cilët dyshojnë në zbatueshmërinë e masës dhe nëse kjo e zgjidh realisht problemin e varësisë nga teknologjia.
Edhe pse shumica e shkollave në Korenë e Jugut tashmë kanë politika të brendshme për kufizimin e telefonave, kjo është hera e parë që ndalimi bëhet me ligj.
Koreja e Jugut i bashkohet vendeve si Franca, Finlanda, Kina dhe Holanda, që kanë vendosur kufizime të ngjashme në shkolla – por ajo dallohet si një ndër të paktat që e ka bërë këtë me ligj të plotfuqishëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!