​Kontrata kolektive “zbraz” buxhetet komunale, qindra milionë euro të humbura

​Kontrata kolektive “zbraz” buxhetet komunale, qindra milionë euro të humbura

Komunat e Kosovës po përballen me një barrë të rëndë financiare si pasojë e shkëputjes së Kontratës Kolektive nga Ministria e Arsimit në nëntor të vitit 2022, duke ndikuar kështu të humbin mbi 236 milionë euro përmes proceseve përmbarimore si rrjedhojë e disa vendimeve gjyqësore gjatë tri viteve të fundit.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, vetëm gjatë këtij viti deri në gusht, komunave u janë marrë mbi 73.5 milionë euro, ku më shumë se 40 milionë euro janë marrë nga buxheti për investime kapitale.


Përkundër kritikave nga komunat dhe Asociacioni, Ministria e Financave nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën për krijimin e një linje të veçantë buxhetore apo për trajtimin e kësaj çështjeje.

Ibrahimi në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress, nënvizon se si pasojë e këtij presioni financiar, kryetarët e komunave nuk kanë arritur të realizojnë premtimet e tyre nga fushata e vitit 2021.

“Prej vitit 2022 deri në gusht të këtij viti për shkak vendimeve gjyqësore, kur shumica e vendimeve ka të bëjë me kontratën kolektive, komunave janë marrë mbi 236 milionë euro. Në vitin 2022 ju janë marrë mbi 36 milionë euro, në vitin 2023 rreth 40 milionë euro, në vitin 2024 mbi 86 milionë euro dhe deri në gushtin e këtij viti ju kanë marrë mbi 73 milionë e gjysmë. Tani për nga këto 73 milionë e gjysmë për këtë vit, komunave ju kanë marrë mbi 40 milionë euro për investime kapitale. Më shumë se 50 për qind të këtyre mjeteve janë marrë nga kategoria e shpenzimeve për investime kapitale. Pastaj kemi mallra dhe shërbime mbi 24 milionë euro, subvencione dhe transfere mbi 5 milionë e gjysmë edhe kemi edhe shpenzime komunale mbi 3 milionë euro vetëm këtë vit. Për këtë arsye për shkak që ju janë marr mjete jashtëzakonshme financiare nga komunat, edhe kryetarët e komunave nuk kanë pasur kurrfarë mundësie që t’i përmbushin të gjitha zotimet të cilat i kanë dhënë gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2021”, thotë Ibrahimi.

Ibrahimi kritikon qasjen e nivelit qendror, i cili thekson mungesën e gatishmërisë për të zgjidhur krizën. Sipas tij, zgjidhja do të ishte krijimi i një vije buxhetore të veçantë që do të mbulonte kostot që dalin nga Kontrata Kolektive.

Ai thekson gjithashtu se mungesa e transparencës financiare që po shkakton ky problem, po i penalizon komunat edhe në garimin për grante të performancës, pasi një nga kriteret është raporti i pastër i auditorit.

“Niveli qendror nuk ka treguar asnjë gatishmëri për zgjidhjen e këtij problemi. Janë marrë për këto 3 vite e gjysmë mbi 236 milionë euro, ku nga kjo shumë në bazë të analizave që i kemi del se rreth 27 për qind e këtyre mjeteve financiare është marrë për shkak të proceseve ë procedurave përmbarimore dhe gjyqësore. Kemi kërkuar nga niveli qendror që ta bëjnë një zgjidhje, ta vendos vetëm një vijë buxhetore për mbulimin e kostos financiare që buron nga kontrata kolektive dhe pastaj problemi do të ishte i zgjidhur.

Dëmi tjetër është se këto komuna nuk mund të garojnë për skemën e grantit të performancës, ku janë me miliona euro në pyetje, sepse si kriter hyrëse për të garuar në këtë skenë të grantit të performancës është që raporti i auditorit të jetë i pastër, mos të ketë keqklasifikim…. Nëse bëjmë krahasime, në vitin e kaluar janë marrë mbi 86 milionë, në vitin 2023 rreth 40 milionë, vitin 2022, 36 milionë, pra lakorja është duke u ngritur. Vetëm në tetë mujorin e parë u janë marrë mbi 73 milionë e gjysmë. Për këtë arsye është mirë që edhe në hartimin e buxhetit komunal neve kemi bë një shkresë te ministri Murati që me ligjin në fuqi, komunat janë të obliguara që deri më 30 shtator ta dorëzojnë buxhetin komunal të aprovuar në kuvendet komunale tek Ministria e Financave, mirëpo kemi kërkuar që të shtyhet ky afat”, thotë ai.

Se kjo barrë financiare po i rëndon komunat, e thotë edhe drejtori për Ekonomi dhe Zhvillim nga Komuna e Istogut, Genc Ademaj
Ademaj: Si institucion dhe komunë jemi godit sikur komunat tjera, ka dëmtuar në masë të madhe shërbimin në raport me qytetarët

“Si institucion dhe komunë jemi godit sikur komunat tjera, që e ka dëmtuar në masë të madhe shërbimin në raport me qytetarët. Si komunë deri më tani bazuar në programin që kemi për pjesën e menaxhimit të financave publike që është free balanci që është një program i jashtëzakonshëm tek pjesa e shpenzimit të parasë publike. Kemi rreth 6 milionë e 300 mijë euro të paguara, dhe një listë të pritjes tjetër që ka ardhë javën e kaluar, që na obligon neve për pjesën e pagesës shtesë të kontratës kolektive, një kontratë që është legjitime dhe ju ka takuar me të drejtë të plotë mësimdhënësve përkundër që nuk ka gjet përkrahje nga institucionet përgjegjëse qysh është, Ministria e Arsimit dhe e Financave të cilët nuk e kanë krijuar një linjë buxhetore për pagesën e këtyre obligimeve”, thotë ai.

Në nëntorin e vitit 2022, Ministria e Arsimit mori vendim për shkëputjen e kontratës kolektive të nënshkruar mes Ministrisë dhe SBAShK-ut e cila mësimdhënësve u mundësonte mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, kompensimin e shujtës ushqimore, shpërblimin jubilar dhe përfitime të tjera për punëtorët e arsimit.

Kur jemi tek humbjet financiare që i janë shkaktuar disa komunave në vend, sipas të dhënave të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Komunës së Prishtinës për tetë muajt e parë të këtij viti, përmbaruesi ia mori mbi 11 milionë euro e gjysmë. Derisa, në vitin 2024, kjo komunë humbi mbi 10 milionë euro e gjysmë. Në vitin 2023 të njëjtës komune i janë marrë mbi 4 milionë e 700 mijë, në vitin 2022 mbi 6 milionë e 200 mijë euro.

Keq nga vendimet gjyqësore pësoi edhe Komuna e Prizrenit, ku deri në fund të gushtit 2025, i janë marrë mbi 9 milionë euro, për dallim nga viti i kaluar kur kjo vlerë ishte mbi 5 milionë euro e gjysmë. Pastaj komuna e Ferizajt, deri në gusht të këtij viti i ka humbur rreth 7 milionë e 750 mijë euro.

Komunës së Prishtinës për tetë muajt e parë të këtij viti, përmbaruesi ia mori mbi 11.5milionë euro. Derisa, në vitin 2024, kjo komunë humbi mbi 10.5 milionë euro . Në vitin 2023 të njëjtës komune i janë marrë mbi 4 milionë e 700 mijë euro, në vitin 2022 mbi 6 milionë e 200 mijë euro.

Nga vendimet gjyqësore pësoi edhe Komuna e Prizrenit, ku deri në fund të gushtit 2025, i janë marrë mbi 9 milionë euro, për dallim nga viti i kaluar kur kjo vlerë ishte mbi 5.5 milionë euro. Pastaj komuna e Ferizajt, deri në gusht të këtij viti i ka humbur rreth 7 milionë e 750 mijë euro. Obiliqit për këtë vit i janë marrë 1.5 milionë euro. Derisa Komunës së Rahovecit i janë marrë mbi 2 milionë euro. Me humbje pësoi edhe Komuna e Gjakovës, të cilës përmbaruesi ia mori mbi 2 milionë euro këtë vit, ndërsa 3 milionë e 200 mijë euro vitin e kaluar. Po kështu, Komunës së Pejës përmbaruesi ia mori mbi 2 milionë euro këtë vit, derisa për vitin e kaluar mbi 7 milionë euro.

Po ashtu Komunës së Gjilanit vetëm për tetë muajt e parë të këtij viti përmbaruesi ia mori rreth 6 milionë euro, derisa në vitin 2024 ia mori rreth 7 milionë euro.