E enjte, 22 Maj, 2025
spot_img
HomeLajmeKonsumi i alkoolit: Cilat janë pijet me rrezik më të ulët?

Konsumi i alkoolit: Cilat janë pijet me rrezik më të ulët?

Nëse keni dëgjuar se vera e kuqe është më e mirë se birra apo se pijet e pastra si vodka janë më të sigurta se ato të errëta si rumi apo burboni, ekspertët kanë një përgjigje të qartë: nuk ka pije alkoolike që janë “të shëndetshme”.

“Alkooli është alkool. Pirja e çfarëdo lloj alkooli, në çfarëdo sasie, është e dëmshme për shëndetin”, ka deklaruar Jürgen Rehm, shkencëtar i lartë në Qendrën për Varësinë dhe Shëndetin Mendor në Toronto, në një artikull të publikuar nga “The New York Times”.

Pse alkooli është i rrezikshëm?

Kur konsumoni alkool, trupi e përpunon etanolin në një substancë toksike të quajtur acetaldehid, e cila mund të dëmtojë ADN-në. Ky dëmtim, sipas doktorit Timothy Stockwell nga Universiteti i Viktorias në Kanada, ndikon negativisht në shumë inde të trupit si goja, fyti, mëlçia, zorra e trashë dhe gjiri.

Riparimi i ADN-së së dëmtuar shpesh rezulton në mutacione që mund të çojnë në zhvillimin e kancerit. Doktoresha Katherine Keyes, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Columbias, thekson se konsumimi i alkoolit rrit rrezikun për të paktën shtatë lloje të ndryshme kanceri.

Përveç kësaj, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), pirja e tepërt lidhet me një sërë problemesh të tjera si sëmundjet e zemrës dhe të mëlçisë, depresioni, ankthi dhe vështirësitë me kujtesën. Pirja e tepërt klasifikohet si më shumë se 8 pije në javë për gratë dhe 15 për burrat, ose 4 pije për gratë dhe 5 për burrat në një rast të vetëm.

A ka pije më “të lehta” se të tjerat?

Në përgjithësi, birra ka më pak etanol për litër se vera, dhe vera më pak se pijet e forta si vodka apo tekilla. Megjithatë, doktor Stockwell paralajmëron se disa birra artizanale mund të kenë përqindje alkooli që ia kalojnë edhe verërave apo likerëve.

“Sa më shumë etanol përmban pija, aq më e dëmshme është ajo”, ka theksuar Keyes. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë të zgjidhni pije me përqindje më të ulët të alkoolit (A.B.V.) dhe të monitoroni me kujdes sasinë.

Për krahasim:

Një birrë 330 ml me 5% A.B.V.

Një gotë verë 150 ml me 12% A.B.V.

Një “shot” 45 ml me 40% A.B.V.

Të gjitha këto përmbajnë përafërsisht të njëjtën sasi etanoli.

Doktori Peng-Sheng (Brian) Ting nga Universiteti Tulane këshillon të qëndroni te birra apo vera nëse doni të kontrolloni sasinë e alkoolit që konsumoni, dhe të shmangni koktejet me përbërje të shumëfishtë, të cilat e bëjnë të vështirë llogaritjen e përqindjes së alkoolit.

Rreziqet nga kaloritë dhe përzierjet me kafeinë

Pijet me përbërës si lëngje frutash apo pije të gazuara shpesh përmbajnë sasi të larta sheqeri, që rrisin rrezikun për shtim në peshë, obezitet, diabet dhe sëmundje të zemrës. Sipas Keyes, edhe përzierja e alkoolit me kafeinë, si në rastin e “vodka Red Bull” apo “espresso martini”, mund të jetë e rrezikshme.

“Energjia që ju jep kafeina mund t’ju bëjë të ndiheni më pak të dehur se sa jeni në të vërtetë, duke çuar në konsum më të madh dhe dehje më të rëndë”, ka thënë ajo.

A janë pijet e errëta më të dëmshme?

Edhe pse nuk ka prova të drejtpërdrejta që pijet e errëta si burboni apo rumi janë më të dëmshme se ato të pastra si vodka, doktorja Damaris Rohsenow nga Universiteti Brown thekson se pijet e errëta përmbajnë më shumë kongenerë – substanca që krijohen gjatë fermentimit dhe mund të përkeqësojnë pasojat e dehjes.

“Më shumë kongenerë nënkupton ‘hangover’ më të keq”, ka shpjeguar ajo, duke shtuar se edhe disa pije “të pastra” si tekillat e forta mund të shkaktojnë dhimbje koke të forta.

Si të pini më sigurt, nëse vendosni ta bëni

Ekspertët e fushës këshillojnë disa rregulla të thjeshta për ta kufizuar dëmin që sjell alkooli:Zgjidhni pije me përqindje më të ulët alkooli (A.B.V.), kini kujdes me sasinë dhe masat standarde, qëndroni larg përzierjeve me kafeinë, shmangni koktejet me shumë sheqer apo pije të gazuara dhe për të reduktuar efektet e dehjes, konsumoni më pak pije të errëta.

Siç përfundon Stockwell:

“Sa më pak, aq më mirë – ose më së miri, aspak.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

! function(f, b, e, v, n, t, s) {
if (f.fbq) return;
n = f.fbq = function() {
n.callMethod ?
n.callMethod.apply(n, arguments) : n.queue.push(arguments)
};
if (!f._fbq) f._fbq = n;
n.push = n;
n.loaded = !0;
n.version = ‘2.0’;
n.queue = [];
t = b.createElement(e);
t.async = !0;
t.src = v;
s = b.getElementsByTagName(e)[0];
s.parentNode.insertBefore(t, s)
}(window, document, ‘script’,
‘https://connect.facebook.net/en_US/fbevents.js’);
fbq(‘init’, ‘518751155614285’);
fbq(‘track’, ‘PageView’);

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT