Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se zgjedhja e një nënkryetari të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb është një hap i domosdoshëm për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Në aktgjykimin e plotë të cilin Gjykata e publikoi më 8 tetor, thekson se përfaqësimi i komuniteteve është i garantuar me Kushtetutë, dhe se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar plotësisht pa përfshirjen e përfaqësuesit të komunitetit serb në udhëheqjen e tij.
Po ashtu, Gjykata ka sqaruar se votimi “në pako” për nënkryetarët e Kuvendit nuk është një praktikë e detyrueshme, por mund të realizohet përmes dakordimit ndërmjet grupeve parlamentare.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës njoftoi se punimet e seancës konstituive do të vazhdojnë ditën e premte, duke filluar nga ora 10:00.
Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk tregon qartë se çka ndodhë nëse brenda 12 ditësh nuk arrin të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e komunitetit serb.
Mazllum Baraliu, ka thënë për Telegrafin se aktgjykimi është kontradiktor.
“I paqartë, jo gjithpërfshirës sa duhet, kontradiktor, dhe pa zgjidhje përfundimtare të rekomanduar qartësisht se çka ndodhë nëse gjithë ato që janë thënë në të gjitha ato pika të aktgjykimit nuk respektohen, ose nuk rezulton me votim të suksesshëm votimi i nënkryetarit nga komuniteti pakicë. Pra, nuk bëhet fjalë për zgjidhje përfundimtare, pasi janë bërë shumë vendime, njëra pas tjetrës, dhe pra janë kontradiktore edhe brenda këtyre vendimeve, por edhe pika e katërt, është në shkelje të Kushtetutës. Paragrafi 4, neni 67 i Gjykatës Kushtetuese atje nuk thuhet se grupi parlamentar më i madh e propozon kandidatin për nënkryetar të komunitetit serb”, ka thënë Baraliu.
Mazllum Baraliu
Mes tjerash, ai ka shtuar se aktgjykim edhe mund të interpretohet që në masë të caktuar është në shkelje të Kushtetutës, edhe konkretisht paragrafi 4 i Gjykatës Kushtetuese të saj.
Edhe Melazim Koci tha se vendimi Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar dhe hequr shumë dilema, por jo edhe çështjen e vakumit juridik që del nga neni 67 i Kushtetutës dhe vendimi i GJK të vitit 2014.
“Këtë Gjykata Kushtetuese nuk mund ta bëjë dhe kjo rrethanë mund të shkaktojë sërish bllokadë. Fillimisht GJK ka flakur drojën e disave se me vendimin e saj, pakicës serbe mund t’i jepet e drejta e vetos në konstituimin e Kuvendit. Ajo pohon se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, pra edhe të nënkryetarit nga radhët e pakicës serbe”, theksoi ai.
Ndër të tjera, Koci pohon se Gjykata Kushtetuese e konstaton se zgjedhja e nënkryetarëve nga pakicat është obligim dhe kategori kushtetuese, por se edhe Kuvendi nuk mund të mbahet peng nëse pakicat bëjnë obstruksione dhe nuk bashkëpunojnë në zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e tyre.
“Pra, në rast të obstruksionit nga pakica serbe, Kuvendi do të konsiderohet i konstituar edhe pa nënkryetarin serb. Tani jemi në situatën që Lista serbe do të ketë të drejtën që 9 deputetët t’i propozoj për nënkryetar nga 3 here dhe pastaj mbetet edhe kandidatura e Nenad Rashiqit ose që çështjen ta përcaktoj shorti”, pohoi ai.
Sipas Kocit, është evidente se pa një marrëveshje politike të partive shqiptare nënkryetari nga radhët e pakicës serbe nuk do të mund të zgjidhet.
“Nëse deputetët shqiptarë nuk bëjnë shumicën as për nëntë deputetët e Listës Serbe dhe as për Nenad Rashiqin, bëhet e qartë që bllokadën janë duke e shkaktuar polarizimet politike ndërshqiptare dhe jo serbët”, tha Koci për Telegrafin.
Melazim Koci
Se a do të jetësohet konsensus ndërmjet partive shqiptare për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e pakicës serbe, Koci tha se në rrethana normale një gjë e tillë do të duhej të ndodhte.
“Në rrethana normale konsensusi do të duhej të jetësohej, sepse posti i nënkryetarit të Kuvendit nuk ka peshë politike. Zgjidhja më e mirë do të ishte nëse bashkërisht merren vesh për votimin e njërit nga kandidatët e pakicës serbe. Por, në rrethanat e polarizimit ekstrem të skenës sonë politike, mungesa e konsensusit nuk do të ishte befasi”, deklaroi Koci duke shtuar se dhe kjo mundësi bëhet edhe më e madhe në rrethanat e një beteje elektorale.
“Zgjidhja optimale do të ishte nëse të gjithë deputetët merren vesh për votimin e një kandidati serb duke lënë anash garën zgjedhore. Nëse jo, partitë politike shqiptare marrin përgjegjësinë e vazhdimit të bllokimit të Kuvendit. Nëse Kuvendi brenda 12 ditë nuk arrin të zgjedh nënkryetarin nga radhët e pakicës serbe, nuk mbetet tjetër pos që vendi të shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Më tej, ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë për aq sa e lejon Kushtetuta dhe vendimi i GJK nga viti 2014, duke shtuar se “Gjykata Kushtetuese është duke vepruar në rrethanat e vakuumit juridik, si në rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, tash edhe në rastin e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicës serbe.
“Në rastin konkret të nënkryetarit serb, sërish ka kontradikte, pozicioni është i rezervuar/garantuar, ndërkaq që kërkohet shumica parlamentare ose 61 vota. Njëra dhe tjetra nuk shkojnë. Edhe ky rast e ka bërë transparente vakuumin juridik në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Analisti Koci tha se Kushtetuta presupozon marrëveshje politike për zgjedhje të kryetarit dhe nënkryetarëve te Kuvendit, por nuk tregon çfarë të bëhet nëse kjo shumicë nuk ekziston dhe madje nuk mundëson as shkuarjen në zgjedhje pa konstituimin e Kuvendit.
“Në asnjë demokraci parlamentare nuk funksionon fillimisht logjika e marrëveshjeve politike, por normat e qarta dhe me afate të saktësuara juridike dhe kushtetuese. Këto norma dhe afate të përcaktuara qartë (si në rastin e qeverisë) pastaj detyrojnë subjektet politike të bëjnë marrëveshje dhe compromise”.
“Rrjedhimisht, amandamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për këto çështje është bërë imperativ. Në të kundërtën Kosova edhe pas zgjedhjeve të ardhshme mund te ballafaqohet me bllokadë të kësaj natyre”, përfundoi ai.
Ndryshe, që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, vendi ka mbetur pa institucione të reja të formuara.
Fillimisht, procesi ngeci te emri i kryeparlamentares së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Subjektet e tjera politike nuk e votuan Albulena Haxhiun për këtë pozitë. Më pas, nga kjo parti u propozua Dimal Basha për kryeparlamentar, i cili arriti të zgjidhet kryetar i Kuvendit, me mbështetjen edhe të PDK-së.
Megjithatë, procesi sërish ngeci, pasi votimi për nënkryetarët nga komunitetet u zhvillua veçmas, dhe për nënkryetarin nga komuniteti serb nuk pati vota të mjaftueshme.
Analistët kanë vlerësuar se vendit po i shkaktohet dëm për shkak të mungesës së institucioneve të reja./Telegrafi/