Grupi konservatore Turning Point USA ka njoftuar se do të organizojë një program të vetin për gjysmëlojën e Super Bowl, si alternativë ndaj performancës zyrtare të artistit portorikan Bad Bunny, e cila do të mbahet vitin e ardhshëm. Ky vendim vjen pas reagimeve të përziera në opinionin amerikan për zgjedhjen e artistit kryesor.
Ndërsa miliona njerëz në mbarë botën po presin me padurim Super Bowl LX, që do të mbahet në shkurt të vitit 2026 në Levi’s Stadium në Kaliforni, vendimi i NFL-së për të përfshirë Bad Bunny-n ka shkaktuar kritika nga qarqet konservatore. Një ndër më të zëshëm ishte ish-presidenti Donald Trump, i cili e quajti këtë zgjedhje “të çmendur”.
Në një postim në platformën X (Twitter), Turning Point USA konfirmoi se do të realizojë shfaqjen “The All American Halftime Show”, e cila do të “festojmë besimin, familjen dhe lirinë”.
“Po, është e vërtetë. Turning Point USA me entuziazëm njofton programin The All American Halftime Show. Emrat e artistëve dhe detajet e eventit do të publikohen së shpejti”, – shkruhet në njoftimin e tyre.
Kritikat ndaj Bad Bunny-t u shtuan edhe më shumë pasi këngëtari vendosi të mos përfshijë Shtetet e Bashkuara në turneun e tij, duke shprehur shqetësim se Shërbimi Amerikan i Emigracionit dhe Doganave (ICE) mund të etiketonte vizitorët e koncerteve të tij.
Ndërkohë, ministrja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, konfirmoi se agjentët e ICE-it do të jenë të pranishëm në Super Bowl.
“Unë kam përgjegjësinë të siguroj që çdo person që shkon në Super Bowl të mund të shijojë eventin dhe të largohet i qetë. Kjo është ajo që përfaqëson Amerika. Prandaj, po, ne do të jemi kudo dhe do ta zbatojmë ligjin”, – deklaroi ajo në podcastin The Benny Show.
Vetë Bad Bunny iu përgjigj kritikave gjatë paraqitjes së tij në emisionin Saturday Night Live javën e kaluar.
“Unë do të performoj në programin e gjysmëlojës së Super Bowl dhe jam shumë i lumtur për këtë”, – tha ai mes duartrokitjeve të publikut, duke shtuar me ironi: “Dhe mendoj se të gjithë janë shumë të lumtur për këtë. Madje edhe Fox News”. /Telegrafi/