Çështja për presidentin e vendit ka hyrë në javën vendimtare.
Megjithatë, partitë politike ende nuk kanë propozuar ndonjë kandidat që do të garojë për këtë post, ndërsa në përgjithësi, nuk dihet se kush do të ngjitet në karrigen e shefit të shtetit, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me takimet e kryeministrit Albin Kurti, me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, Engelbert Zefaj në “Ora Shtatë” tha se mes këtyre krerëve priten edhe takime të dyta.
“Ky ishte një takim i parë, që la me nënkuptu që ka me pasë një të dytë me partitë. Domethënë Albin Kurti me PDK-në dhe LDK-në. Shumë jam skeptik që do t’i lidhet krytë kësaj pune”, tha Zefaj.
Nga ana tjetër, gazetari Vullnet Krasniqi tha se Kurti e pranoi, edhe pse me ftohtësi, se nuk i ka votat për president.
“Unë e kuptova që as në zgjedhje nuk po duan të shkojnë”, tha Krasniqi në Klan Kosova.
Ndërkohë, avokati Asdren Bytyçi u shpreh i bindur se Kurti nuk e ka mbështetjen e PDK-së për Vjosa Osmanin.
“Mendoj që Kurti ka mbështetjen e Bedri Hamzës për një përfaqësues unitar”, tha ai.


