Zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim në Vjenë me ministren Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger.
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thuhet se gjatë këtij takimi u diskutua për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Austrisë, avancimin e integrimit evropian të Kosovës, si dhe bashkëpunimin në funksion të stabilitetit rajonal.
“Zëvendëskryeministri Konjufca e falenderoi Ministren Meinl-Reisinger për kontributin e hershëm dhe të vazhdueshëm të Austrisë ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së Austrisë për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhënien e statusit të vendit kandidat, dhe hapjen sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Tutje në njoftimin e MPJD-së thuhet se Austria mbetet një nga partnerët më të afërt dhe më të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës në rrugën e saj evropiane.


