Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për tre qytetarët nga Kosova që humbën jetën tragjikisht në vendin e tyre të punës në Vjenë.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca tha se Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami, ishin shtylla e e pazëvendësueshme e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Për dekada, njerëzit tanë jashtë vendit kanë mbajtur gjallë lidhjen me atdheun, kanë mbështetur familjet e tyre, kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, dhe kanë qenë zë i Kosovës kudo në botë. Humbja e tyre nuk është vetëm humbje për familjet, por edhe për gjithë shoqërinë tonë që në kohët më të vështira ka gjetur mbështetjen kryesore në përkushtimin dhe sakrificën e bashkatdhetarëve tanë”, ka shkruar ministri.
Ndër të tjera, Konjufca tha se që nga marrja e lajmit e deri tani, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, ka qenë dhe vazhdon të jetë në koordinim të vazhdueshëm me familjet dhe autoritetet përkatëse për të siguruar mbështetjen e plotë dhe për të lehtësuar çdo procedurë të nevojshme.


