Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka ngushëlluar familjen Rexhepi, me rastin e vdekjes së simbolit të protestës kundër policisë serbe, Faik Rexhepi.
Konjufca thotë se me gjestin e tij politik, Faiku ekspozoi në sytë e të gjithëve ilegjitimitetin dhe arbitraritetin e dhunës së regjimit të Serbisë në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
Në telegram tutje thuhet:
“E nderuar familje Rexhepi,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin se ka ndërruar jetë Faik Rexhepi, simboli i protestës dhe qëndresës përballë trupave okupatore serbe.
Me aktin e tij autentik, Faik Rexhepi shënoi një çast sublim e të përjetshëm të popullit tonë kundrejt forcave pushtuese serbe. Për fat të mirë, atë çast e gjejmë në një fotografi të paharrueshme, tek e cila do të jetojë gjithmonë shpirti dhe kujtimi i tij.
Me gjestin e tij politik, Faiku ekspozoi në sytë e të gjithëve ilegjitimitetin dhe arbitraritetin e dhunës së regjimit të Serbisë në Kosovë. Ai çast na ka bërë të gjithëve krenarë, e na ka dhënë fuqi në shpirt. Do ta kujtojmë gjithmonë, sepse me aktin e tij frymëzoi sa e sa të tjerë përbrenda përpjekjes sonë të gjatë për liri.
Ju lutem, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta! Shpirti iu prehtë në paqe dhe vepra e tij frymëzoftë çdo brez që do të vijë!”.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>