Në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është propozuar një amandament i ri që synon hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për rikthimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Propozimi është bërë nga kongresisti republikan nga Florida, Brian Mast, dhe përfshin një varg pikash që prekin drejtpërdrejt Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë rajonin, raporton Klankosova.tv.
Aty kërkohet që të prioritizohet caktimi i ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në vendet e Ballkanit, duke përfshirë qeveritë e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Sipas dokumentit, Asistenti i Sekretarit amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike do të ketë për detyrë të zhvillojë një plan të posaçëm, i cili, siç thuhet, “do të mbështesë pavarësinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj në NATO”, por edhe do të përforcojë praninë e trupave amerikane në vend si “një shtyllë jetike e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Strategjia synon gjithashtu forcimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së Kosovës përmes zbatimit të plotë të kompaktit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Një vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë kufitare, duke përfshirë edhe “zbatimin e programit të kontrollit të eksportit dhe teknologjive të skanimit në pikën kufitare të Merdares me Serbinë, për të parandaluar trafikimin e armëve”.
Edhe Shqipëria zë vend të rëndësishëm në këtë strategji. Dokumenti vlerëson “progresin e Tiranës në fushën e sigurisë kibernetike përballë kërcënimeve që vijnë nga shtete si Irani”, ndërsa parashikon thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në drejtësi, polici dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Strategjia nënvizon nevojën që “Shqipëria dhe Kosova të zhvillojnë dhe zgjerojnë industrinë e tyre të mbrojtjes dhe të rrisin shpenzimet për siguri në përputhje me objektivat e NATO-s”.
Në pjesën që lidhet me rajonin, amandamenti parashikon presion mbi Serbinë që të reduktojë ose ndalë lidhjet strategjike me Rusinë dhe Kinën, si dhe një plan sanksionesh kundër individëve apo entiteteve që, sipas dokumentit, “mbështesin interesat e Moskës, Pekinit apo Teheranit, ose pengojnë përpjekjet për paqe dhe stabilitet rajonal të udhëhequra nga SHBA”. Një pjesë e veçantë i kushtohet Bosnjë e Hercegovinës, ku kërkohet rishikimi i rolit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë dhe forcimi i pranisë ndërkombëtare për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Amandamenti shtron gjithashtu idenë e një koalicioni ndërkombëtar për të mbrojtur paqen në Bosnjë, si dhe nisma të reja për sigurinë energjetike në rajon. Në këtë drejtim, dokumenti përmend “mundësinë e zgjerimit të rrjetit të gazsjellësve në Kroaci dhe zëvendësimin e energjisë ruse me burime të tjera alternative”.
Raporti i plotë i strategjisë do t’i paraqitet Kongresit amerikan brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit. /Klankosova.tv
The post Kongresisti amerikan Mast, me strategji për stabilitet në Ballkan: E ardhmja e Kosovës, në NATO appeared first on Klan Kosova.