Edhe në ditën e tretë, Kongresi Klinik i Kirurgëve Shqiptarë mblodhi qindra kirurgë dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvoja dhe informacione mbi metodat më të reja të kirurgjisë.
Specialist i Otorinolaringologjisë, Arsim Thaqi tha se Kolegji i Kirurgëve të Kosovës tashmë ka krijuar një traditë disa vjeçare në vend.
Ai theksoi se, përveç mysafirëve të huaj, kongresi ofron mundësinë e njohjes me shqiptarë nga diaspora, Amerika dhe Evropa, të cilët vijnë siç tha ai për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të kontribuar në zhvillimin e kirurgjisë në Kosovë.
“Tashmë Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është bërë traditë qe disa vite në Kosovë dhe e kemi fatin e mirë që përveç mysafirëve të huaj, të shohim e të njiheni me shumë shqiptarë nga diaspora, nga Amerika, nga Evropa, të cilët vijnë dhe zhvillojnë ura të bashkëpunimit, kanë dëshirë të kontribuojnë në Kosovë. Unë kisha fatin e mirë të takoja disa kolegë nga Amerika, nga Austria dhe u vlerësoj me një notë maksimale. Shpresojë që të vazhdojë kjo traditë e kolegjit kirurg të Kosovës”, potencoi Thaqi.
Subspecialist i mjekësisë së gjumit, Arsim Thaqi, potencoi se aktiviteti i tij gjatë kongresit do të fokusohet kryesisht te operacioni i kanalit të lotit.
Ai shtoi se do të zhvillojë një kurs demonstrimi për kolegët specializantë, ku do të tregojë teknikat endoskopike nga zgavrat e hundës.
Përveç kësaj, Thaqi do të prezantojë edhe subspecializimin e tij që lidhet me mjekësinë e gjumit.
“Unë do të flas kryesisht për operacionin e kanalit të lotit. Do ta bëjë një kurs demonstrimi për kolegët specializantë, teknika endoskopike nga zgavrat e hundës. Pastaj do të flas edhe për një subspecializim timin që ka të bëjë me mjekësinë e gjumit”, tha Thaqi.
Të mërkurën në Prishtinë ka nisur punimet Kongresi i Parë i Përbashkët Klinik i Kirurgëve Shqiptarë, një ngjarje historike që bashkon kirurgët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare.
Ky Kongres do të zgjas deri më 28 shtator dhe këtë vit ka sjell së bashku 235 kirurgë, ndër ta 74 ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe rajoni, të cilët do të ndajnë përvojat, inovacionet dhe sfidat më të reja në fushën e kirurgjisë moderne. /kp/