Kongresi i Kirurgëve Shqiptarë, eksperti nga ShBA: Kirurgët duhet të kontribuojnë në edukim

Kongresi i Kirurgëve Shqiptarë, eksperti nga ShBA: Kirurgët duhet të kontribuojnë në edukim

Eksperti në Kirurgjinë Robotike dhe Laparoskopike në Shtete e Bashkuara të Amerikës, Sharique Nazir shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e parë në Kosovë dhe për mikpritjen e jashtëzakonshme siç tha ai që kishte marrë nga momenti i mbërritjes në aeroport deri në pjesëmarrjen në Kongresin Klinik të Kirurgëve Shqiptarë, po mbahet tash e tri ditë.

Ai theksoi se kishte dëgjuar shumë për Shqipërinë dhe Kosovën, pasi kishte operuar disa pacientë nga rajoni i Shqipërisë në New York, dhe u ftua të merrte pjesë në këtë kongres.

Nazir vuri në dukje rëndësinë e diversitetit në kirurgji, duke theksuar se ajo nuk njeh kufij dhe se është një komunitet global.

Me pjesëmarrjen e tij në kongres, kirurgu Sharique Nazir theksoi se bashkëpunimi i shëndetshëm përmes komunikimit, mentorimit dhe shkëmbimit të ideve ndihmon për të mësuar dhe përmirësuar praktikat më të mira të kirurgjisë, raporton Kosovapress.

“Vij nga Shtetet e Bashkuara, dhe kjo është vizita ime e parë në këtë vend të bukur. Kam dëgjuar shumë për të, sepse kam pasur disa pacientë nga rajoni i Shqipërisë në New York dhe kam operuar shumë prej tyre. Ata jetojnë afër këtu, dhe u ftova nga Rifat Latifi sepse unë jam pjesë e Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, një organizatë e madhe që ka 64 degë në mbarë botën, dhe Dr. Latifi është gjithashtu përfaqësues këtu”.

“Pra, kjo është vizita ime e parë dhe mbeta i mahnitur nga mikpritja e Kosovës – që nga aeroporti e deri te ky Kongres Klinik dhe ky takim i Kolegjit, i cili ishte i mrekullueshëm. Mësova shumë këtu, dhe folëm për diversitetin. Gjëja më e rëndësishme është se kirurgjia nuk ka kufij, dhe ne jemi një komunitet global. Qoftë unë nga Shtetet e Bashkuara, qoftë nga India, Evropa apo Afrika – ne jemi një. Ne mësojmë nga komunikimi, nga mentorimi, nga shkëmbimi i ideve, si dhe duke parë praktikat më të mira që ndodhin në të gjithë botën, e sidomos në Kosovë”, tha Sharique Nazir.

Eksperti i Kirurgjisë Robotike dhe Laparoskopike në ShBA, tha se në prezantimin e tij të parë trajtoi përdorimin e teknikave minimale invazive në trajtimin e traumave.

Derisa, në prezantimin e dytë, siç tha ai u përqendrua në përgjegjësinë globale të kirurgëve modernë, duke theksuar se ata nuk janë të kufizuar vetëm brenda spitalit, por duhet të kontribuojnë në edukimin dhe përhapjen e inovacioneve të reja.

Ligjërata e tretë, siç tregoi Nazir ishte për obezitetin, të cilin ai e cilësoi si një pandemi që po rritet, duke paralajmëruar se me rritjen e konsumit të ushqimeve të shpejta, obeziteti do të bëhet një problem i dukshëm në Kosovë.

Të mërkurën në Prishtinë ka nisur punimet Kongresi i Parë i Përbashkët Klinik i Kirurgëve Shqiptarë, një ngjarje historike që bashkon kirurgët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare.

Ky Kongres do të zgjasë deri të dielën, 28 shtator.

The post Kongresi i Kirurgëve Shqiptarë, eksperti nga ShBA: Kirurgët duhet të kontribuojnë në edukim appeared first on Klan Kosova.