Nata mes 13 e 14 qershorit qe më e gjatë se zakonisht për Izraelin.
Me t’u errësuar, Irani i filloi operacionet hakmarrëse ndaj këtij shteti i cili veç disa orë më herët ia pati goditur Teheranit vendet ku po përgatiste prodhimin e armëve nukleare, si dhe ia vrau rreth 20 ushtarakë të lartë, ndërsa edhe tre top-komandantët.
Në kohën ku raketat ndriçonin qiellin, popullit iranian iu drejtua udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei, i cili veç e paralajmëroi Izraelin për atë se çka po e priste.
Kurse, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, theksoi se Iranin nuk e sulmoi kokë me vete.
Për çka tha se e ka informuar paraprakisht edhe presidentin më të fuqishëm në botë, atë amerikan, Donald Trump.
Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Iranit që të arrijë një marrëveshje bërthamore tani që Izraeli ka rinisur sulme ndaj këtij vendi.
Ai shtoi se Teherani duhet të bëjë një marrëveshje para se të mos mbetet asgjë dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane.
Ndërkohë, banorët që u zgjuan nga zhurmat e sirenave thanë që nuk duan që askush të pësoj nga sulmet.
Por humbje patën të dyja palët. Vetëm në qytetin Rishon Lezion, në qendër të Izraelit, pas një sulmi me raketë nga Irani mbeten të vrarë 5 persona dhe u plagosen dhjetëra njerëz, kurse ende nuk dihet se si qëndrojnë shifrat në të gjithë pikat që u sulmuan.
Kurse ambasadori i Iranit në OKB deklaroi se në vendin e tij 78 persona u vranë dhe mbi 320 u plagosën gjatë këtyre sulmeve izraelite, vetëm gjatë të premtes. Ndërsa kjo shifër mund të jetë dyfishuar nga raketat e fundit.
Për të marrë fund e gjithë kjo edhe Papa Leoni XIV bëri thirrje që Izraeli dhe Irani të tregojnë përgjegjësi dhe të veprojnë me arsyetim, duke shtuar askush nuk duhet kurrë të kërcënojë ekzistencën e tjetrit.
The post Konflikti i ri, raketat nuk pushojnë, plot viktima në Iran e Izrael (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.