Ferizaj ka konfirmuar edhe zyrtarisht emërimin e trajnerit nga Shqipëria, Nevil Dede.
Klubi ferizajas po kalon formë të dobët në këtë fillim të sezonit dhe humbja e fundit 5-0 në shtëpi nga Prishtina ishte e pesta radhazi dhe ka turbulluar edhe më shumë ujërat.
Kjo humbje ka bërë që trajneri Arsim Abazi të jap dorëheqje nga detyra e tij, me klubin që pranoi dorëheqjen.
Telegrafi menjëherë raportoi se Nevil Dede ishte favoriti kryesor dhe se ai kishte arritur marrëveshje në parim me Ferizajn.
Nuk ka vonuar shumë dhe është vetë faqja zyrtare e Ferizajt, e cila ka konfirmuar emërimin e Dedes në krye të ekipit.
“FC Ferizaj njofton opinionin sportiv dhe të gjithë tifozët tanë se sot, në ambientet e klubit, është prezantuar trajneri i ri i skuadrës sonë, Nevil Dede”.
“Me përvojë të gjatë si lojtar dhe trajner në futbollin shqiptar, Dede sjell profesionalizëm dhe përkushtim të madh, me synim ngritjen e nivelit të skuadrës dhe arritjen e rezultateve pozitive”.
“Klubi i uron mirëseardhje dhe shumë suksese në punën e tij me FC Ferizaj”, thuhet në njoftimin e klubit ferizajas.
Dede pritet të debutoj si trajner në ndeshjen e së dielës, të cilën Ferizaj e zhvillon në shtëpi ndaj Drenicës. /Telegrafi/