Konferenca ndërkombëtare: Tahiri i Kosovës lëvdon qeverisjen shqiptare (VIDEO)

Konferenca ndërkombëtare: Tahiri i Kosovës lëvdon qeverisjen shqiptare (VIDEO)

Në Tiranë është mbajtur sot Konferenca Ndërkombëtare për Qeverisje, në një panel diskutimi ku u fol për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Në fjalën e tij, organizatori i këtij forumi, Besnik Tahiri vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë, ndërsa shtoi se Shqipëria, është kthyer në një praktikë më të mirë, përsa i përket qeverisjes së vet.

“Jam shumë krenar që sot nisëm International Governance Conference, një forum global që do të mbahet çdo vit dhe që synon të bëhet një pikë referimi për diskutimin e thellë mbi të ardhmen e qeverisjes. Ky është një moment reflektimi, por edhe thirrje për veprim”.

“Theksova se nëse qeverisja nuk pëson një ristrukturim të thellë, nga promotor i zhvillimit, rrezikon të kthehet në pengesë. Jemi në një kohë ku ndryshimi është i përshpejtuar dhe kompleksiteti në rritje kërkon institucione më fleksibël, më transparente dhe më efikase. Parimet e qeverisjes së mirë nuk janë të negociueshme, por kanë nevojë për rigjallërim dhe rimendim në dritën e sfidave të reja globale qoftë në drejtim të teknologjisë, krizave klimatike, presioneve ekonomike apo trysnive mbi demokracinë”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ai tha se në Panelin I: “Sfidat dhe mundësitë e qeverisjes në një botë që evoluon me shpejtësi”, u sollën reflektime me peshë, që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për politikëbërësit dhe liderët institucionalë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “lidershipi i vërtetë testohet në kohë krize”, teksa Tahiri thotë se “koha jonë është pikërisht kjo provë”.

Në mesin e të ftuarve ishte edhe Ambasadori britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott. “Demokracia nuk eksportohet, ajo ndërtohet nga brenda”, ishte mesazhi i fuqishëm i tij për të gjitha vendet që përpiqen të transformojnë institucione të qëndrueshme.

Harry Hardman, anëtar i Bordit të Shkollës “Bush” për Qeverisje dhe Shërbim Publik në Universitetin A&M të Teksasit, tha se “shërbimet për qytetarët janë aseti ynë i vetëm dhe duhen ofruar me efikasitet”.

Massimiliano Paolucci, Country Manager i Bankës Botërore për Shqipërinë, tha: “Partneritetet publiko–private janë çelësi për zhvillim të qëndrueshëm”, për çka Tahiri tha se është një thirrje për bashkëpunim dhe jo ndarje mes sektorëve.

“Këto mendime e bëjnë të qartë se rigjallërimi i qeverisjes nuk është opsion, është domosdoshmëri. Sektori publik duhet të sfidojë vetveten për të funksionuar me të njëjtin nivel efikasiteti, llogaridhënieje dhe inovacioni si sektori privat. Përndryshe, do të mbetet pas në një botë që nuk pret”.

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për institucione që mësojnë, që përshtaten dhe që veprojnë me guxim. #IGC2025 është një hap drejt kësaj rruge, një thirrje për një epokë të re të qeverisjes”, tha Besnik Tahiri, organizator i Konferencës Ndërkombëtare për Qeverisje, në Tiranë. /Klankosova.tv

The post Konferenca ndërkombëtare: Tahiri i Kosovës lëvdon qeverisjen shqiptare (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.